Gazeta Si – Eliminimi sjell gjithmonë pasoja në futboll. Pas barazimit 0-0 me Kroacinë, që eliminoi Belgjikën nga Botërori, trajneri Roberto Martinez ka dhënë dorëheqjen. Ai e ka dhënë njoftimin në konferencën e shtypit pas ndeshjes.
“Eliminimi nuk ndryshon asgjë, edhe po të shpalleshim kampionë bote, do të largohesha nga Belgjika, – ka thënë trajneri. – Vendimin e kam marrë para se të niste Botërori”. Martinez largohet nga stoli i ‘Djajve të kuq’ pas 6 vitesh e gjysmë. Ai ishte në këtë detyrë që në korrik të 2016-ës.

Situatë e vështirë ndërkohë për sulmuesin Romelu Lukaku, protagonist negativ për aq sa luajti ndaj Kroacisë. Ai humbi të paktën tre raste flagrante për të shënuar golin, që do ta kualifikonte Belgjikën. Në një rast goditi shtyllën, kurse në një tjetër gjuajti jashtë nga shumë afër portës.
Sulmuesi ka ndjerë peshën e përgjegjësisë dhe pas ndeshjes ka shpërthyer në lot. Lukaku është shfaqur mjaft nervoz dhe ka goditur me grusht pankinën, ndërsa Tieri Henri, pjesë e stafit teknik të ekipit belg, është munduar ta qetësojë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



