Ervis Martinaj dhe Eljo Hato, dy personat që mbetën të plagosur gjatë shkëmbimit të zjarrit në zonën e ish-Bllokut mbrëmjen e së enjtes janë njohur me vendimin e gjykatës ndaj tyre nga shtrati i spitalit.
Atyre iu komunikua masa e arrestit menjëherë pas ngjarjes, pasi Prokuroria për Krimet e Rënda i akuzon për vrasje të mbetur në tentativë. Prokuroria kërkoi gjithashtu nga gjykata që ndaj tyre të jepej masa e arrestit me burg.
Në seancën gjyqësore të zhvilluar këtë të dielë, prokurorët Kreshnik Ajazi dhe Artan Lulo përsëritën këtë kërkesë, që në fund u miratua nga gjyqtari Artan Gjermeni.
Sipas këtij vendimi, menjëherë kur gjendja e tyre shëndetësore të përmirësohet, Martinaj dhe Hato do të shoqërohen në qeli për 30 ditë dhe pa afat, nga ku do të përballen me drejtësinë për akuzën në fjalë. Ervis Martinaj mbeti i plagosur nga një plumb që e goditi në qafë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Por, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për Eljon Haton. Ky i fundit vazhdon të luftojë për jetën dhe mjekët thonë se nuk e ka tejkaluar rrezikun, pasi ka plagë në organe jetike.
Mirash Martini, avokati mbrojtës i Ervis Martinit tha për mediat se nuk ka të dhëna se klienti i tij kishte konflikte me autorët, madje deklaron se Ervin Mata, i dashuri i këngëtares Elvana gjata ka zhvilluar një bisedë miqësore me Martinajn në lokal. Ai thotë se sherri ka qenë mes të ndjerit Fabian Gaxha dhe komandos Marviol Bilo, i shpallur në kërkim si autori i dyshuar i ngjarjes.
“Në sherr janë përfshirë Gaxhaj dhe ai që është identifikuar si komando, të cilin Ervis Martinaj nuk e njeh”, deklaroi avokati Martini.
Mevjol Bilo, Ervin Mata dhe Fabiol Alushi mbeten ende në kërkim nga ana e policisë, ndërkohë që mediat kanë nisur të shfletojnë arkivat për komandon e Zall-Herrit, pjesë e forcave elitare Beretat e Kuqe.
Bilo para disa kohësh ka qenë pjesë e emisionit “Zoom” ku tregon se çfarë mund të bëjë me një pistoletë në dorë. Pamjet, ku Bilo shfaqet në minutën 31:24 sekonda provojnë atë që thuhet në media, se ai është qitësi më i mirë i forcave speciale, çka shpjegon edhe saktësinë që ka patur tek shënjestrat gjatë përplasjes së armatosur.
Mevjol Bilo, me gradë rreshter, ishte oficer në forcat speciale të ushtrisë deri ditën kur u përfshi në krimin që mendohet se mund të jetë edhe një përplasje bandash, pavarësisht se dyshimi kryesor është ai i motivit banal për një ngacmim të këngëtares Elvana Gjata. Në kartelën e Bilos, 41 vjeç dhe baba i dy fëmijëve, gjen të dhënat e tij, të pazakonta për shumë pjesëtarë të tjerë të forcave të armatosura. Mevjol Bilo nuk ishte një oficer i thjeshtë, ai ishte i stërvitur për luftë. Ushtarak që prej vitit 1998, ai ka qenë me shërbim tri herë në Kandahar si forcë speciale, pjesë e misioneve Eagle Combat.
Nga gushti 2011 deri në gushtin e vitit 2013 ka shërbyer në misionin Eagle 7, ndërsa shërbimin e fundit e ka mbaruar në vitin 2014. I trajnuar nga shteti për të ndërhyrë në çlirimin e pengjeve në qendrat tregtare, në avionë apo trena, ai cilësohet nga dëshmitë e shokëve me të cilët ka shërbyer, si një ndër më të mirët në zbulimin special dhe i është dhënë medalja e karrierës nga NATO për shërbime të shquara.
Një nga misionet e Bilos, me karrierën e tij të pasur si ushtarak, siç tregojnë ata që e njohin në ushtri, ishte edhe mbrojtja ( eksportimi) i kryeministrit Edi Rama në vizitën e tij të parë dhe mjaft të tensionuar në Beograd, ku së bashku me tre efektivë të tjerë kishte përgjegjësinë e ruajtjes së Ramës në një mjedis aspak miqësor për dy ditë me radhë.
Ai gjithashtu ishte përzgjedhur nga forcat speciale amerikane afro dy dekada më parë për të marrë kutinë e zezë të një avioni amerikan të rrëzuar në territor armik gjatë luftës së Kosovës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.