Pas debateve që solli krahasimi që bashkëkreu i Fondacionit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit i bëri Butrintit me Davosin, Parkut Arkeologjik Kombëtar, Martin Mata shpjegon për Gazetën Si se, krahasimi ishte simbolik dhe se AADF nuk ka në vizionin e saj të ngrejë hotele apo ndërtime në sitin, që prej 28 vitesh është pasuri botërore e UNESCO-s.
Madje z.Mata sqaron se nuk është AADF që ka marrë në menaxhim Parkun Kombëtar të Butrintit për 10 vitet e ardhshëm. “As edhe një ditë të vetme”, thotë ai. “Nuk mundemi, nuk na lejohet, nuk ndodh”.
Ajo çfarë po bën konkretisht Fondacioni Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit është ndihmesa me fonde, por edhe në ofrimin e atyre që Mata i quan praktikat dhe shembujt më të mirë në botë, për hartimin e planit të menaxhimit të integruar të Parkut të Butrintit.
“Qeveria dhe Parlamenti do të ngrenë një institucion, trust apo fondacion, e quajnë ata si të duan që do të menaxhoje Butrintin”, thotë Mata, për Gazeta Si, duke i cilësuar edhe debatet që lindën ditëve të fundit nga historianë dhe arkeologë mbi idenë se Parku do të menaxhohej nga të huaj, si të sajuara.
“Është njëlloj si të thuash që AADF mori apo privatizoi Pazaret e Korçës, Krujës apo Qafën e Pazarit në Gjirokastër apo tani Piramidën”, vijon Mata, duke sqaruar se ekspertët shqiptarë nuk janë përjashtuar nga hartimi i planit të menaxhimit. “Janë 75 ekspertë shqiptare dhe 14 institucione shtetërore, me të cilat Plani i Menaxhimit u konsultua dhe u hartua”, thotë ai, duke shtuar se AADF është rezultat i një marrëveshjeje midis qeverisë amerikane dhe asaj shqiptare dhe misioni i tij është shumë i qartë.
Duke iu rikthyer edhe njëherë deklaratës së tij që i ndezi edhe më debatet, duke e krahasuar Butrintin me një Davos të trashëgimisë kulturore, Martin Mata sqaron se,“Kam thënë që, në ëndrrën dhe vizionin tonë, Butrinti ka të gjithë potencialin të bëhet Davosi i trashëgimisë botërore kulturore. Arsyeja e krahasimit është fuqia që Forumi Ekonomik Botëror i Davosit ka duke mbledhur personalitetet më të fuqishëm të ekonomisë, biznesit e politikës nga mbarë bota”, sqaron Mata, duke parë të njëjtët potenciale edhe në qytetin antik, që i ka fillesat nga shekulli VIII, para Krishtit.
“Pse jo Butrinti, për potencialin, fuqinë, historinë dhe madhështinë që ka, të mos bëhet magneti që të mbledhë në Shqipëri personalitetet më të shquara të mbarë botës të fushës së trashëgimisë kulturore në një raport të ngjashëm, duke e vendosur atë në qendër të vëmendjes, interesit dhe politikëbërjes në fushën e menaxhimit, konservimit dhe zhvillimit të trashëgimisë kulturore në botë”, vijon Mata, për Gazetën Si, duke premtuar se nuk bëhet fjalë për ndërtimin e hoteleve apo faciliteteve të tjera.
“Nuk ka të bëjë as me hotele, as me ndërtime!! Ka të bëjë me konceptin e fuqisë që ka dhe që Shqipëria mund ta luajë ne skenën botërore të trashëgimisë kulturore. Ka Shqipëria e Saranda boll mundësi për hoteleri e turizëm. Butrinti ka nevojë të shkëlqejë me historinë e tij”, vijon ai, ndërsa në planin e menaxhimit flitet për interpretim të ri të sitit, të Kalasë Veneciane, Kullës Trekëndore, hapjen e një qendre të re vizitorësh, varka pasagjerësh, platforma lundruese. Sipas këtij plani të përbashkët të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit dhe Ministrisë së Kulturës – që ndryshe nga sa thonë zërat kritikë se bëhet fjalë për një bankë, ajo insiston se është fondacion jofitimprurës -, thuhet se komuniteti vendas do të përfitojë ekonomikisht nga ky plan menaxhimi për një dekadë.
“Shteti shqiptar, qeveritë shqiptare, gjithë kapacitetet dhe personalitetet shqiptare të fushës se trashëgimisë kulturore mund ta bëjnë këtë të mundur për dekadat që vijnë, nëse secili bën mirë punën e tij. AADF ka për mision e mundësi të ndihmojë në gjetjen dhe sjelljen e modeleve më të mira që bota ofron në këtë drejtim”, sqaron bashkëkreu i AADF-së, ndërsa përfundon duke thënë se krahasimi me Davosin ishte figurativ “...dhe nuk është dhe s’ka për të qenë AADF që do ta bënte këtë mundur. Nuk është detyra, as misioni i saj”./S.B
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.