Art dhe Kulture

“Martesa” merr çmimin e publikut në “Moisiu On”, Dervishi: Vlerësim për teatrin e Durrësit

Regjisorja Driada Dervishi: Të shfaqurit e shfaqjeve online është si puna e dashurisë virtuale, e cila, pa prekjen, është e destinuar të shuhet. Mos e lini dashurinë e publikut për Teatrin të shuhet!

Shfaqja teatrore “Martesa” e teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit u shpall fituese e çmimit të publikut në Festivalin Mbarëkombëtar të Teatrit “Moisiu On”.

Teatri Kombëtar ka publikuar votat që janë dhënë për shfaqjet në festival, dhe më shumë ka marrë “Martesa” e Anton Çehov me regji nga Driada Dervishi.

Për regjisoren Driada Dervishi, çmimi i publikut për Komedinë “Martesa” është një vlerësim për Teatrin e Durrësit, dhe vë theksin te kultivimi i shijes së publikut.

“Çmimi i Publikut për komedinë ‘Martesa’ është vlerësim i madh që i bëhet Trupës dhe Teatrit ‘Aleksandër Moisiu’. Fakti që publiku votoi Martesën, një lojë gazmore e mbështetur në 5 pjesë me një akt të një dramaturgu të madh siç është Anton Chekhov, më gëzon pamasë, sepse tregon për një shije e kultivim të Publikut, qëllim të cilin unë si regjisore e trupa e teatrit i kemi vënë prej kohësh vetes”, shprehet Dervishi për Gazetën “Si”, ndërsa shton se “Paragjykimi se publiku priret drejt komedive që e gajasin në këtë rast bie poshtë, duke na dhënë një mësim se publiku di të orientohet drejt produkteve cilësore, e këtu duhet nënvizuar fakti se, fill pas komedisë ‘Martesa’, në vlerësim vjen një dramë e fortë siç ishte ‘Galaksia’”.

Regjisorja Driada Dervishi

Këtë çmim regjisorja Dervishi ia dedikon të gjithë publikut teatror si një komponent i rëndësishëm, pa të cilin nuk do të ekzistonte Teatri.

“Duke qenë se Teatri nuk do të ekzistonte pa publikun, e kështu i drejtohet posaçërisht atij. Këtë Çmim do t’ia dedikoja të gjithë Publikut teatror, në veçanti Publikut të Durrësit. Është ky publik që na ka ndjekur e na ka dhënë një mbështetje të madhe nga viti në vit, me një dashuri të pakushtëzuar. Gjithashtu dua të falenderoj aktorët: Amos Zaharia, Adelina Muça, Mimoza Marjanaku, Xhejn Fama, Ervin Doko, Sanie Hoti, Era Çaushi, Suela Bako, Gjergj Doçi, Marsel Rupi e Vilma Hodo, për karakteret e bukur që kanë sjellë. Edhe pse me fonde tejet të reduktuara, për të mos thënë qesharake, ia kemi dalë të sjellim një shfaqje që i bën nder repertorit teatror”, vijon më tej Dervishi për Gazetën “Si”.

Sipas Dervishit, Festivali “Moisiu On” e përmbushi qëllimin e tij në këto kushte të vështira, pasi dha mundësi për të parë shfaqje nga treva të ndryshme brenda e jashtë Shqipërisë, brenda kutisë së ekranit të televizorit apo celularit.

“Ishte e vetmja mundësi për të tërhequr vëmendjen e publikut, e besoj që Festivali ndihmoi shumë për ta përmbushur këtë qëllim. Nga ana tjetër, Festivali Moisiu On, ndihmoi për të njohur aktorët, regjisorët, autorët e trupave të ndryshme shqipfolëse, jashtë Shqipërisë”, thotë ajo.

Por, Dervishi i mëshon fort faktit se ky festival do donte të shërbente edhe si apel për institucionet për të hapur sallat teatrore.

“Festivali Moisiu On, në mbyllje do doja shumë që të shërbente si një thirrje ndaj institucioneve për të hapur sallat e teatrove. I sjell në vëmendje Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë së Kulturës të marrin masa për hapjen e aktiviteteve kulturore e artistike, si tepër të rëndësishëm për shoqërinë, duke i siguruar që publiku teatror është shumë më i përgjegjshëm e i ndërgjegjshëm se publiku që tejmbushi plazhet, ai i restoranteve, lokaleve e fushatave”, shprehet Dervishi, ndërsa apelon “Gjeni pak kohë për t’u ulur e për të shkruar disa rregulla, e do të befasoheni sesa të qytetëruar dinë të jenë shqiptarët në një hapësirë të shenjtë e serioze siç është salla e Teatrit”.

“Të shfaqurit e shfaqjeve online, – thekson regjisorja, – është si puna e dashurisë virtuale, e cila, pa prekjen, është e destinuar të shuhet. Mos e lini dashurinë e publikut për Teatrin të shuhet!”.

Komedia “Martesa”

Kjo komedi është me një kast aktorësh, ku në role janë Sanie Hoti, Mimoza Marjanaku, Adelina Muça, Gjergj Doçi, Xhejni Fama, Amos Zaharia, Ervin Doko, Suela Bako, Eralda Çaushi, Marsel Rupi dhe Vilma Hodo.

Komedia “Martesa” erdhi premierë në vitin 2015 nga regjisorja Driada Dervishi.

Në dy net, gjithçka ndodh në një martesë nga të kurdisurat për interes nga e ëma e vajzës. Aty gjen nusen, që do të argëtohet, e një dhëndër koprac. Gjen një bashkëshort, që është lodhur nga përgjegjësitë e ngarkesa që i jep çdo ditë e shoqja, e që do të pengojë dhëndrin të martohet, duke i treguar se si do të jetë pas një viti martese jeta e tij. Po aty gjen një vejushë, që është betuar të mbajë zi për gjithë jetën, e që për ironi bie në dashuri me borxhliun e bashkëshortit. Fqinji i familjes, pikërisht në këtë dasmë gjen rastin të kërkojë dorën e mbesës, mirëpo situata shkon në një debat mbi pronat, ku përfshihet gjithë familja.

Festivali online i teatrove mbarë shqiptar u mbyll duke I sjellë Teatrit Kombëtar disa çmime. Shfaqja më e mirë për “Galaksian- Skena nga një ekzekutim” aktorja më e mirë për Olta Dakun që interpretoi “Galaksian” dhe aktori më i mirë i ri për Igli Zarken.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë