Njerez

Marshimi i dhimbjes / Qytetarët kërkojnë drejtësi për vrasjen e Egli Progës: Jemi të pasigurt, shteti mbron gangot (foto, video)

Nga Gazeta Si- Qytetarë të shumtë, nga Tirana por edhe nga rrethet janë bërë pjesë e ‘Marshimi i dhimbjes’ i cili është thirrur për vrasjen e Egli Progës në Pogradec.

Ndërkohë që mbanin në duar pankarta me fotot e të ndjerit por edhe me “A fshihet e vërteta?, kërkojmë drejtësi, Kundër gangove me pushtet”, protesuesit, pjesë e të cilëve ishte edhe motra e Egli Progos, u nisën nga Sheshi ‘Skëndërbej’ duke marshuar drejt kryeministrisë.

Protestues të ndryshëm thanë për Gazetasi.al se ngjarje të tilla të ‘detyrojnë’ të reagosh, pasi sipas tyre, është e pamundur të qëndrosh në shtëpi apo në kafe kur po protestohet për vrasjen e një të riu.

“Është e paimagjinueshme se si dikush të vret vetëm sepse është i forti i qytetit dhe mendon se ka të drejtë të bëjë çfarë të dojë. Nuk mund të vdesë një djalë i ri në këtë mënyrë, është e tmerrshme që shteti mbron gangot”, thotë e indinjuar një nga protestueset.

Një tjetër grua, rreth të 50-tave tregon se ka ardhur nga Durrësi vetëm për këtë protestë.

“Kam një trishtim që ditën që mora vesh lajmin dhe jam trishtuar akoma më shumë çdo herë që dilte një detaj nga kjo ngjarje. Më vjen të plas kur mendoj se një i ri është vrarë nga disa që mbrohen nga shteti dhe ende nuk dihet qartë çfarë ka ndodhur”, thotë një nga protestueset.

“Po prekim fundin. Unë kam vetë djalë dhe e di se kur të rritet do përballet në një moment të jetës me personat që bëjnë të fortin e lagjes apo qytetit. Kjo ngjarje më frikëson pa masë”, tha një tjetër protestues.

Ndërkohë, në protestë ka marrë fjalën edhe motra e të ndjerit, e cila u shpreh se i vëllai është vrarë nga 4 barbarë, 3 prej të cilëve u lanë të lirë për të pirë raki.

Ajo theksoi se 42-vjeçari u qëllua nga 4 barbarë, ku një prej të cilëve u dorëzua në mënyrë të kontrolluar, ndërsa 3 të tjerët janë lënë të lirë dhe “kanë 9 ditë që pinë raki”.

“Prokuroria, gjykata dhe policia ta dëgjojnë mirë. Egli u vra nga 4 kriminelë në bashkëpunim me njëri-tjetrin. Unë nuk akuzoj pa bazë vetëm sepse më ka vdekur vëllai me të cilin u rrita. I thashë prokurores se nuk mund ta bëjë drejtësinë e vëllait tim. Ai u qëllua nga 4 barbarë. Njëri prej tyre u dorëzua në formë të kontrolluar, të tjerët kanë 9 ditë që pinë raki. Kjo është drejtësia? Prokurorja që la barbarët të pinë raki u hoq nga çështja pas kërkesës sime. Horri që ka marrë përispër vrasjen është organizuar që ta marrë ai që të shpëtojnë të tjerët. Ky maskara kur u dorëzua në polici tha se Eglin nuk e preku fare me dorë. Nuk ka dëshmitarë, kamera. Përse u dorëzua kur nuk ka prova? Sepse thanë se Egli vdiq nga pija? Një nga vrasësit e vëllait tim fjeti gjumë dhe thirri avokatin për t’u dorëzuar. Ky maskara tha se Egli vdiq vetë, nuk e preku me dorë. Policia e pa për 30 minuta që lëngonte në rrugë dhe nuk e prekën me dorë. Maskarai që e vrau e pa dhe nuk e ndihmoi”, u shpreh ajo.

Në protestë ishte shpalosur dhe një banderolë e madhe ku shkruhej: Kundër gangove me pushtet!

Denis Meçe aktualisht ndodhet në burg, ndërsa vrasja e 42 vjeçarit shkaktoi përplasje institucionale mes policisë dhe prokurorisë. Ndërsa policia e referoi ngjarjen si vrasje me dashje, prokurorja e Korçës e zbuti akuzën në ‘vrasje nga pakujdesia’.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë