Kreu i Bashkisë së Mallakastrës, Qerim Ismailaj, është marrë i pandehur nga SPAK, i dyshuar për ”falsifikim të vulave, stampave dhe formularëve”. Pas përfundimit të hetimeve, dosja ndaj Qerimajt është dërguar për gjykim në GJKKO. PD reagoi duke e cilësuar të mirëpritur vendimin e SPAK.
“Marrja si i pandehur i uzurpuesit ilegjitim të Bashkisë së Mallakastrës është një akt i mirëpritur drejt pastrimit të politikës. Me kallëzimin tonë në SPAK, pasi treguam me dokumente se mandati i tij ishte i paligjshëm, PD bëri vetëm detyrën ndaj qytetarëve. Ne i qëndrojmë bindjes sonë se mund të ecim përpara drejt zhvillimit pa politikanë të korruptuar e të lidhur me krimin.
Të zgjedhurit në parlament, në qeveri dhe në bashki duhet të jenë shërbëtorë vetëm të interesave të qytetarëve. Edi Rama futi në politikë modelin e politikanit gangster, që rri në pushtet në aleancë me krimin. Ky model duhet zhbërë përmes vetingut në politikë. Shqiptarët meritojnë të qeverisen nga politikanë me integritet”, tha Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.