Nga Gazeta ‘Si’– Pas disa lajmeve që kanë qarkulluar se Britania po kërkon që të hapë qendra për emigrantët e paligjshëm në disa vende të Ballkanit, mes tyre edhe në Shqipëri, kryeministri Edi Rama bëri edhe një herë të qartë se një marrëveshje të tillë s’do ketë me asnjë vend tjetër veç Italisë.
Përgjigja e Ramës erdhi gjatë konferencës me kryeministrin britanik Starmer, ku tha se marrëveshja me Italinë është bërë për shkak të marrëdhënies së veçantë mes dy vendeve dhe falë situatës gjeografike.
Me humor Rama tha se janë shumë shtete të tjera që i kanë kërkuar Shqipërisë që të nënshkruajnë marrëveshje të njëjta si me Italinë, por sipas tij, vendi ynë është besnik ndaj martesës me Italinë dhe marrëdhëniet me vende të tjera sipas kryeministrit, janë thjeshtë dashuri.
“Kam qenë shumë i qartë kur nisëm këtë proces me Italinë. Kjo ishte një marrëveshje e vetme me Italinë për shkak të martesës sonë të veçantë, por edhe për falë situatës gjeografike që është mjaft kuptimplotë. Dhe për të qenë shumë i sinqertë me ju, na kanë kërkuar një sërë vendesh dhe u kemi thënë jo, sepse i jemi besnik martesës me Italinë dhe pjesa tjetër është thjesht dashuri”, tha Rama.
Nga ana tjetër, edhe kryeministri britanik ka thënë se vendi i tij po e diskuton një marrëveshje të tillë me shumë shtete të tjera.
“Po po e diskutojmë këtë çështje me një sërë shtetesh përsa u përket këtyre qendrave të kthimit. Dhe këtë e shoh në fakt si një çështje novatore të re dhe të rëndësishme, që është në përputhje me punën që ne kemi bërë për përshembull uljen e numrave nga Shqipëria, numrin rekord të kthimeve që ne kemi pasur… Edhe po i bëjmë këto diskutime ndërkohë”, tha Starmer.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.