Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja ka treguar detaje në lidhje me marrëveshjen e vendit tonë me Britaninë për transferimin e të burgosurve shqiptarë nga Britania, ku tha se qëllimi është që të dënuarit të vuajnë dënimin në Shqipëri por dhe të kenë mundësi për t’u takuar me familjarët.
“Ne kemi një marrëveshje të arritur me Britaninë për transferimin e të dënuarve. Është një marrëveshje teknike që plotëson marrëveshjen e ratifikuar në kuvend në vitin 2021. Kriteret për transferimin janë të përcaktuara në marrëveshjen që është në fuqi në 2021.
Marrëveshja ka si qëllim kryesor që këta shtetas shqiptarë ta vuajnë pjesën e vuajtjes së dënimit pranë familjarëve dhe të afërmve të tyre. Kemi të dënuar që për vite me radhë s’kanë kontakte me familjarët. Kjo marrëveshje bën të mundur që brenda kapaciteteve që ne kemi, të vijnë ta vuajnë dënimin në Shqipëri. Shpenzimet dhe kostot do të përballohen nga Britania për çdo ditë të qëndrimit dhe vuajtjes së dënimit në Shqipëri.
Dua të jemi qartë, marrëveshja parashikon kohëzgjatje dy vjeçare, me opsion për t’u riparë pas dy vjetësh. Numrit të shtetasve shqiptarë që do duan të vijnë, do nisemi nga kapacitete tona, nuk ka numër fiks, kjo do të jetë në varësi të vendeve që kemi në sistemin tonë. Është një projekt dyvjeçar që merr përsipër edhe krijimin e kapaciteteve të tjera. Çdo i dënuar jep pëlqimin para transferimit, nëse dëshiron që ta vuajë dënimin në Shqipëri. Nëse nuk jep pëlqimin nuk përfshihet në listë”, tha Manja.
Ai gjithashtu tha pas mbledhjes së qeverisë se janë shqyrtuar dy vendime të rëndësishme për kompensimin e pronave, ku citoi se këto të fundit do t’i kthehen ish-pronarëve ashtu siç e kanë pasur në momentin kur i është konfiskuar nga shteti.
Ndër të tjera tha, se nëse prona është zënë me ndërtime, ish pronarët do të marrin shpërblim financiar.
“Çdo ish pronar që ka kërkesë në Agjencinë e Pronave ose do të bëjë një kërkesë për njohjen e pronës, dhe që prona është e lirë, i kthehet fizikisht siç e kanë pasur kur i është konfiskuar nga shteti. Pra prona e lirë e ish pronarëve kthehet pa asnjë kufizim. Ndërsa ato ish pronarë, që i është zënë prona me ndërtime informale ose që do përdoret për shërbime publike, do kenë një shpërblim financiar sipas asaj metodologjie që është certifikuar edhe në Gjykatën e Strasburgut por edhe nga Gjykata jonë Kushtetuese”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




