Mendim

Marrëveshja Kosovë-Serbi “vuloset” në 2020-ën?

Vera e vitit 2020 është afati kohor që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur për arritjen e marrëveshjeje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë. Lajmi është bërë i ditur nga gazeta serbe ‘Blic’, e cila shkruan se Shtëpia e Bardhë do të përfshihet zyrtarisht në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit.

“Administrata aktuale amerikane pritet të insistojnë në gjeten e një zgjidhjeje, jo vetëm se një marrëveshje e tillë është e rëndësishme për Beogradin dhe Prishtinën, por se nënshkrimi i saj mund të jetë një plus i madh për politikën e jashtme të SHBA dhe presidentit Donald Trump, përpara zgjedhjeve presidenciale”, shkruan Blic.

Sipas burimeve të gazetës, koha më e përshtatshme për rikthim në dialog është cilësuar muaji dhjetor, mundësi të cilën duket se e ka konfirmuar edhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, pas kthimit nga Uashingtoni dhe takimit me Sekretarin Amerikan, Mike Pompeo.
Por sipas “Blic” përpara rifillimit të dialogut, Prishtina dhe Beogradi duhet të kapërcejnë fillimisht disa pengesa.

“Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë, që pritet të mbahen në fund të shtatorit apo në fillim të muajit tetor të këtij viti, dhe vonesat që mund të shkaktohen deri në krijimin e një qeverie të re, është një prej barrierave të para që pengon rikthimin e shpejtë në dialog. Përveç zgjedhjeve, çështja e taksës është një problem i cili ka mbetur peng dhe pritet të shihet se a do të pezullohet një vendim i tillë pas krijimit të një qeverie të re. Përtej problemeve të brendshme të Kosovës, si vonesë për rikthimin në dialog po shihen edhe zgjedhjet dhe konsolidimi i institucioneve të Bashkimit Evropian”, shkruan gazeta.
Këto raporte vijnë ndërkohë që përpjekjet e Bashkimit Evropian nuk kanë qenë të mjaftueshme për ta rikthyer Serbinë dhe Kosovën në tryezën e bisedime, duke i lënë kështu radhën presidenti amerikan Donald Trump për arritjen e një marrëveshje. Sipas ekspertëve, ai pritet të organizojë një samit Prishtinë-Beograd, duke i ulur të dyja palët në tryezën e negociatave.

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçic dhe Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo. Gazeta Si, 26 gusht 2019

Më 13 gusht, grupi i Quint’it, Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara publikuan një deklaratë për shtyp duke i bërë thirrje Serbisë dhe Kosovës të rifillojnë dialogun e udhëhequr nga BE dhe të ndalojnë së vendosuri pengesat në rrugën e normalizimit të marrëdhënieve të vendeve të tyre.

Fuqitë më të mëdha folën në mënyra specifike për këto pengesa: “Për Kosovën, kjo do të thotë të pezullojë tarifat e vendosura për Serbinë. Për Serbinë, nënkupton pezullimin e fushatës diplomatike kundër njohjes kundër Kosovës".

Megjithatë si Beogradi ashtu edhe Prishtina kanë injoruar deri më tani këtë kërkesë, duke e detyruar Admininistratën Trump të ndërmarrë masa të drejtpërdrejta. Eksperti i Ballkanit Perëndimor Dean Pineles thotë për “European Western Balkans” se Uashingtoni mund të organizojë një samit të posaçëm me Kosovën dhe Serbinë në Shtëpinë e Bardhë.

“Presidenti Trump pritet të të thërrasë një samit që përfshin zyrtarët kryesorë nga të dyja vendet në Shtetet e Bashkuara, i ngjashëm me samitin e Camp David, të thirrur nga Presidenti Jimmy Carter në vitin 1978. Ky samit historik i Camp David dekada më parë rezultoi në një marrëveshje paqeje midis Egjiptit dhe Izraelit që ka siguruar paqe deri në ditët e sotme. Nëse Egjipti dhe Izraeli mund të arrinin në një marrëveshje të qëndrueshme pas përplasjeve të armatosura dhe armiqësive të gjata, atëherë ekziston një arsye për të shpresuar që Serbia dhe Kosova mund të veprojnë njësoj”, shkruan ai.

Presidenti Donald Trump dhe Hashim Thaci, Gazeta Si, 26 gusht 2019

“Si parakusht, pasi të thirrej samiti, qeveria e re e Kosovës do të duhej të binte dakord të pezullojë tarifën dhe Serbia do të duhej të binte dakord të pezullonte fushatën kundër njohjes së saj."

Sipas analistit, Trump do të kundërpërgjigjet ashpër nëse Serbia dhe Kosova nuk arrijnë një marrëveshje deri në shkurt.

“Pra, këtu bëhet fjalë për nevojat e Trumpit, që ai ta ketë situatën të qartë për Ballkanin kur të dalë para demokratëve në zgjedhjet e 2020-ës. Trumpit nuk i intereson se çfarë kanë nënshkruar Thaçi e Vuçiç. Dhe nëse nuk arrihet një marrëveshje deri në shkurt, ai do të ketë ndonjë përgjigje të fortë, siç ka bërë me Meksikën, brenda natës do të ketë sanksione edhe ndaj njërës edhe ndaj palës tjetër (Prishtinës dhe Beogradit)” ka theksuar ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë