Analize

Marrëveshja e Ohrit në dorën e një serbi në qeverinë e re të Shkupit. Lidhjet e Stoillkoviç me Vuçiç, Dodik e Putin dhe alarmi i BDI

Nga Gazeta ‘Si’- Që para se të mandatohej si kryeministër, pyetja kryesore që ngrihej ndaj figurës së Hristjan Mickovskit ishte nëse ardhja e tij në krye të Maqedonisë së Veriut do të nxiste tensione ndëretnike.

Aludimet lidheshin kryesisht me retorikën e tij nacionaliste dhe qasjen e deklaruar pro-ruse.

Dhe në fakt, nuk u desh shumë veçse propozimi i emrave të kabinetit të ri qeveritar që dilemat dhe diskutimet për një ashpërsim të mundshëm të marrëdhënieve ndëretnike në rajon të nxiteshin saora.

Vendimin për të propozuar një serb si zv.kryeministër dhe ministër të marrëdhënieve ndërmjet komuniteteve që Mickovksi e pa të udhës, opozita dhe një spektër i gjerë analistësh në shtetin fqinj nuk e panë në të njëjtën optikë.

Mickovski propozoi një serb në krye të Marrëveshjes së Ohrit

Ivan Stoillkoviç, kryetari i Partisë Demokratike të Serbëve në Maqedoni, një politikan i afërt me presidentin serb Aleksandar Vuçiç dhe presidentin e Republikës Sërpska, Millorad Dodik, ka qenë disa herë qendër e kritikave lidhur me bindjet e tij putiniste dhe qëndrimet anti-kosovare.

Të parët që u shqetësuan për postin e tij të ri ishin politikanët nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) dhe Frontit Europian.

Nënkryetari i BDI-së, Arbër Ademi reagoi në Facebook duke ironizuar fillimin e ndryshimit.

“Marrëveshja e Ohrit për herë të parë pas vitit 2001 në dorë të një serbi me bindje putiniste! Ndryshimi sapo filloi!”, shkroi Ademi, reagimit të të cilit iu bashkëngjit edhe nënkryetari tjetër, Bujar Osmani.

“Ivan Stoilkoviç, Zëvendëskryeministër përgjegjës për marrëveshjen e Ohrit. Kështu është kur je i preferuar e jo i votuar”, deklaroi ai.

Por ndaj akuzave reagoi sakaq Izet Mexhiti, kryetari i Lëvizjes Demokratike i cili pretendon se BDI-ja po manipulon përmes asaj që ai e konsideron makineri propagandistike.

Ai i kujtoi BDI-së se kjo ministri kishte ekzistuar nga viti 2008, ndërsa në dorë të Stoilkoviç nuk mbetet avancimi dhe mbrojtja e të drejtave të shqiptarëve.

“Nuk e merr Ivan Stoilkoviç Ministrinë për Sistem Politik dhe as për Marrëveshjen e Ohrit! Stoilkoviç është propozuar Ministër për Marrëdhënie ndërmjet bashkësive, ndërsa kjo Ministri që është themeluar në vitin 2008, deri vonë kishte në ingerenca mbrojtjen, kultivimin dhe afirmimin e grupeve etnike më të vogla se 20%, pra, ingerenca në avancimin e të drejtave të turqve, serbëve, boshnjakëve, romëve dhe të tjerëve”, u shpreh Mexhiti.

Por a rrezikohet vërtet Marrëveshja e Ohrit dhe si u shndërrua Sekretariati në Ministri?

Në 2019-n, BDI vendosi të shndërronte Sekretariatin për Zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit në Ministri për Sistem Politik dhe Marrëdhënie mes Bashkësive.

Më 27 shkurt, atëbotë deputetët Artan Grubi, Zeqir Ramçilloviç, Panço Minov, Jovan Mitrevski, Xhevat Ademi, Ejup Alimi dhe Rexhail Ismaili kishin propozuar që Sekretariati për Zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit të bëhet Ministri për Sistem Politik dhe Marrëdhënie mes Bashkësive.

Në arsyetimin e ligjit thuhej se kjo bëhej me qëllim zbatimin më të mirë të Marrëveshjes së Ohrit. Këtë dokument, Ahmeti në disa paraqitje e cilësoi Kushtetutë të Shqiptarëve.

Marrëveshjen e Ohrit, Ahmeti në disa paraqitje e cilësoi Kushtetutë të Shqiptarëve.

“Vetëm të bëjmë një krahasim para dhe pas 2001 më Marrëveshjen e Ohrit. Nga 150 policë, sot ke mbi 2300 policë në strukturat e shtetit. Të bëjmë një krahasim para 2001 dhe pas Marrëveshje së Ohrit nga 70 oficerë sot kemi mbi 2000 oficerë dhe nënoficerë. Vetëm të bëjmë një krahasim para dhe pas Marrëveshjes së Ohrit. Nga një administratë që ishte me 3 për qind sot e ke mbi 20 për qind dhe gjithnjë më tepër punohet që të arrihet përfaqësimi i duhur”, theksoi Ali Ahmeti, Kryetar i BDI-së.

23 vjet më vonë, Marrëveshja e Ohrit si udhërrëfyesi politik dhe institucional i shqiptarëve të Maqedonisë, u kthye në marrëveshje gjatë të cilës Ahmeti përfaqësoi jo vetëm shqiptarët, por edhe etnitë e tjera përfshi edhe serbët.

“Kosova e Metohia djep i Serbisë” dhe thirrjet për të patur kujdes me LVV-në e Kurtit në RMV

Një nga arsyet kryesore pse Stoillkoviç u vu nën qendër të kritikave ishin deklaratat e tij pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Kosovës ku serbët vranë rreshterin Afrim Bunjaku.

Fill pas asaj ngjarje, në një deklaratë, Stoillkoviç thurri lavde për terroristët serbë dhe e konsideroi Kosovën djep të Serbisë.

Deklarata e Stoillkoviç e cila thurr lavde për serbët pas sulmit të Banjskës

Për t’i dhënë kreshendo nacionalizmit të tij, ai përgëzoi popullin serb “që me gjithë terrorin e paparë, mbijeton në djepin serb dhe nuk i lë vatrat e tij shekullore përballë bishave të egra të Kurtit dhe dragonjve ndërkombëtarë”

Me marrjen e postit të tij të ri, deklaratat kundër Kosovës u rikthyen sakaq menjëherë në vëmendje.

Në një reagim profesori dhe analisti Sulejman Mehazi i konsideroi deklaratat si skandaloze dhe i bëri thirrje Mickovskit të ketë kujdes sepse Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit Albin Kurti është parti parlamentare në RMV.

“Kujdes i nderuar Mickovski me ministrin tuaj serb Stoillkoviç. Ai duhet ta dijë se brenda parlamentit të RMV-së keni deputet të LVV-së së Albin Kurtit. Kujdes Stoillkoviç se LVV-ja e Kurtit është parti parlamentare në RMV”, deklaroi ai.

Lidhjet e Stoillkoviç me spiunët rusë dhe ftesat në forumet e Moskës

Përpos qëndrimit të tij kundër Rezolutës së OKB-së për gjenocidin e Srebrencicës, Stoillkoviç njihet gjithashtu për marrëdhëniet e mira me Rusinë.

Sëbashku me Rexhep Ismail Haktanin dhe Borislav Krmovin nga Levica, ai ishte njëri nga tre deputetët të cilët javën e kaluar ishin mysafirë në pritjen shtetërore me rastin e festës kombëtare – Ditës së Rusisë të organizuar nga Ambasada ruse në Shkup.

Në maj të vitit të kaluar Stoillkoviç mori pjesë në forumin ndërkombëtar të sigurisë në Moskë ku ishin të pranishëm edhe presidenti i Republikës Sërpska, Milorad Dodik dhe drejtori i Agjencisë Serbe për Siguri dhe Informacion, Aleksandar Vulin, gjithashtu i shpallur 'non-grata'.

“Përvojë me vlerë të madhe dhe shumë njohuri të reja, ky është bilanci i udhëtimit tim në Rusi”, komentoi ai në Facebook pas pjesëmarrjes në këtë event.

Po bashkëpunime me rusë Stoillkoviç ka pasur edhe më herët. Në 2018-tën ai ishte pjesë e një delegacioni të partive parlamentare të Maqedonisë që u takuan me zëvendëssekretarin e Këshillit të Përgjithshëm të partisë “Rusia e Bashkuar”, Sergej Zheljeznak.

Ndërsa në 2019-ën, ai u takua me Kolonelin e Shërbimit inteligjent ushtarak rus-GRU, Vladislav Filippov,  i cili prej më shumë se dhjetë vjetësh ka zhvilluar aktiviteti spiunazhi në Ballkanin Perëndimor duke qenë pjesë e pothuajse të gjitha zhvillimeve që kanë pasur si qëllim destabilizimin e rajonit.

Spiuni rus Vladislav Filippov

Filippov organizoi shkuarjen e Stoillkoviç në Moskë në cilësinë e përfaqësuesit të Partisë Demokratike të Serbisë për të nënshkruar dokumentin për krijimin e aleancës ushtarake të “Katërshes Ballkanike”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë