Lajme

Marrëveshja e anëtarësimit në NATO, Xhaferi viziton Tiranën

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi është sot për një vizitë zyrtare në Tiranë, ku në agjendën kryesore është dhe pjesëmarrja e tij në në seancën e Kuvendit të Shqipërisë, ku do të ratifikohet protokolli për anëtarësimin e vendit fqinj në NATO.

Në fillim do të pritet nga Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi dhe më pas Xhaferi do të marrë pjesë edhe në seancën plenare të Kuvendit, në të cilën do të votohet ratifikimi i Protokollit të aderimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO.

Pas votës unanime nga Komisioni i Ligjeve për votimin e protokollit të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO, në të njëjtën linjë votoi edhe Komisioni i Jashtëm.

Me një frymë të gjerë konsensusi, anëtarët e mazhorancës dhe të opozitës i hapën dritën jeshile anëtarësimit të shtetit fqinj në Aleancën e Atlantikut të Veriut.

Pas dy qëndrimeve pozitive në dy komisionet parlamentare, të enjten do të jetë Kuvendi i Shqipërisë ai i cili pritet të ratifikojë zyrtarisht anëtarësimin e saj në NATO.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë