Ekspozite

Marrëdhënia e individit me natyrën dhe kaosi urbanistik në optikën e artit bashkëkohor shqiptar

Nga Gazeta Si - Arti dhe kultura ngahera kanë treguar se shërbejnë si ura komunikimi mes popujve dhe i bëjnë bashkë ata.

Një gjë të tillë e ka bërë edhe ekspozita e artit bashkëkohor Shqipëri-Austri, “Fenomenologjia e imazhit arketip bashkëkohor”, e çelur në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar, kuruar nga historiani dhe kritiku i artit, Oltsen Gripshi.

Ekspozita do ta niste rrugëtimin e saj që para një viti dhe frymëzuese për të ishte organizatori i saj, Karl Bauer, një fisnik austriak, i cili adhuronte Shqipërinë dhe kulturën tonë.

Kuratori Oltsen Gripshi thotë për Gazetën “Si” se ekspozita vjen në kuadrin e 110-vjetorit të marrëdhënieve dypalëshe midis Shqipërisë dhe Austrisë, ku nëpërmjet artit pamor krijohen lidhje kulturore e historike mes dy vendeve tona.   

“Ekspozita formësohet nga dhjetë artistët më në zë të artit pamor bashkëkohor në Shqipëri dhe Austri si Admir Pervathi, Adriana Marku Sedaj, Christian Strassegger, Dastid Miluka, Elisabeth Gschiel, Gilbert Kleissner, Helidon Haliti, Michaela Knittelfelder, Naim Spahiu, Peter Wagner”, shprehet kuratori për Gazetën “Si”.

Përmes larmishmërisë së pikturave, por dhe instalacioneve, artistët gërshetojnë në tematikën e kësaj ekspozite marrëdhënien e individit me natyrën, në një kohë ku urbanizimi po merr zhvillim gjithnjë e më shumë.

“Të gjithë artistët konvergojnë me atë çfarë përfaqëson qenia njerëzore në bashkëkohësinë tonë, në të përditshmen tonë, pjesë të një realiteti, ku herë mbizotëron njeriu mbi natyrën e herë natyra mbi të. Qasje kjo, e cila gjurmon fenomenin e marrëdhënies së qenies njerëzore në raport me natyrën, ku natyrshëm lindin pyetjet se: Cili është roli i njeriut sot me natyrën? Në çfarë raporti është zhvillimi urban dhe kaosi i ndërtimeve pa kriter në qytetet metropolitane? A është në raport të drejtë apo të zhdrejtë zhvillimi urban me njeriun si krijues dhe pësues i kësaj fenomenologjie shoqërore? Të gjitha këto çështje vijnë të trajtuara nga artistët pjesë të ekspozitës, ku gjithkush me personalitetin e tij artistik sjell në vëmendje këtë fenomenologji të imazhit arketip bashkëkohor”, vijon Gripshi për Gazetën “Si”.

Të gjitha pikturat duket se orvaten rreth një tematike të vetme, atë të gjurmës njerëzore.

“Herë e shohim të evidentuar nëpërmjet simbolikës së shimpanzesë luftën në kufijtë e Evropës në tablotë e Helidon Halitit, e herë shohim kaosin harmonik të pikturës abstrakte të Admir Përvathit, ku sipërfaqet e pikturave të tij ngjasojnë si përbërja e vetë tokës ‘shtëpisë së njerëzimit’”, vijon kuratori.

Kuratori Oltsen Gripshi

Ai vë në pah edhe veprat e artistit austriak Peter Wagner, i cili falë fotografisë artistike shndërrohet në një dëshmitar të këtij urbanizimi mbytës në qytetet e mëdha.

“Po ashtu edhe Christian Strassegger na shpie nga arkitektura urbane në periferi të metropoleve, në fshat në gjirin e natyrës në kontakt të drejtpërdrejtë me të. Padyshim dhe bota përrallore e Dastid Milukës na fton drejt një hapësire, ku trishtimi dhe e keqja duket se nuk ekziston, si kundër ndodh në tablotë plot jetë e ngjyra të Naim Spahiut dhe çlirimit të energjisë së pashtershme të Gilbert Kleissner. Elisabeth Gschiel tekstet e librave i zhbën për t’i rishkruar jo më me germa, por me qendisje lineare, një tatuazh i së tashmes, një protestë ndaj abuzimit të ndërtimeve masive pa kritere dhe ankthndjellëse”, rrëfen Gripshi, ndërsa shton se “ajo që bën dallimin, duke na zhvendosur në një tjetër përmasë është Michaela, e cila me interpretimin e saj sa naiv aq edhe plot vërtetësi na evidenton të vërtetën e saj për sa i përket fenomenologjisë së imazhit arketip bashkëkohor, që ka si pikëtakimi atë me veprën Quo Vadis të Adriana Marku-Sedaj, e cila nëpërmjet riciklimit të gazetave rikrijon veprat e saj konceptuale referuar vaginës si simbol i jetës”.

Kuratori Oltsen Gripshi tregon se kjo ekspozitë kërkon të përçojë tek publiku mesazhe të shumëfishta dhe shprehet se asnjëherë më parë marrëdhënia midis njeriut dhe natyrës nuk është bërë një çështje qendrore.

“Mesazhi qendror i ekspozitës është reflektimi ndaj një zhvillimi urbanistik kaotik në raport me natyrën dhe tkurrja gjithmonë e më shumë e hapësirave të përbashkëta, por pa lënë mënjanë bashkëjetesën në paqe mes kulturave si pjesë e një antropologjie të përbashkët kulturore dhe historike, duke formësuar njëherazi atë që e konsiderojmë si bashkëkohësi, ku jemi pjesë të gjithë”.

Gripshi thotë se natyra nuk shihet dhe as nuk perceptohet më si plotësuese e realizimit artistik në vetvete, por si subjekt qendror i përmbajtjes së veprave të artit, si rrjedhë e reflektimit mbi qenien njerëzore pjesë e pashmangshme dhe e pandashme me natyrën.

“Veprat e ekspozuara i përbashkon qenia njerëzore, gjurma e tij në të tashmen dhe reflektimin e marrëdhënies së ngushtë me natyrën, që për qenien njerëzore është jetike”.

Ekspozita “Fenomenologjia e imazhit arketip bashkëkohor” që ka bërë bashkë 10 artistë do të qëndrojë e hapur deri më 12 mars në muze.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë