Shendet

Marrëdhënia e diarresë me klimën e ngrohtë dhe sa e rrezikshme është për fëmijët

Sa më shumë afron stina e pranverës dhe moti nis të ngrohet, aq më shumë shtohen edhe vizitat pediatrike, për diarrenë dhe të vjellat.
Një studim i fundit i botuar në revistën shkencore në SHBA, “Shëndeti dhe Mjedisi” dhe i realizuar nga pedagogët e shëndetit në Universitetin e Uashingtonit tregon se në periudhën që rritet temperatura e fëmijëve për shkak të klimës duke ulur sistemin imunitar të tyre.
Mjeku pediatër Ylli Kaloshi, i tha Gazetasi.al se gjithmonë me rritjen e temperaturave sëmundjet diareike tek fëmijët janë më të shpeshta se në stinët e tjera.
“Kjo shpjegohet me se në periudhën e verës mikrobet që shkaktojnë diarre si Salmonela ,shigelat bakterium koli, patogjene që kanë kushte te përshtatshme për t’u zhvilluar në ambientet e papastra dhe ushqimet si qumështi, mishi dhe nënproduktet e tij”, shpjegon mjeku.
Sipas mjekut ky fenomen haset edhe në vendin tonë, por fatmirësisht ndryshe nga kohët e shkuara rastet diareike nuk përfundojnë në fatalitet. Mjeku shton se sëmundjet përgjithësisht vijnë për shkak të higjienës së ulët dhe edhe pse ka filluar përmirësimi i jetesës dhe kushteve, në familjet e varfra apo në fshatra këto sëmundje janë akoma të shpeshta.
Kaloshi shpjegon se 30-40 vjet më parë numri i vdekjeve te fëmijët 0-1 vjeç ka qenë shumë i lartë në periudhën e verës si pasojë sëmundjeve diareike që në popull quhej ndryshe “barku i verës”.
Sipas mjekut një ndër shkaqet kryesore të përhapjes në këtë periudhë është edhe lëvizja e insekteve, të cilat përhapin mikrobe që shkaktojnë sëmundje diarre nga ambientet e papastra në ushqime të cilat përdoren tek fëmijët.

Ndërkaq në studim thuhet se kjo është një sfidë e madhe për të gjithë botën sepse diarreja është një sëmundje që dobëson imunitetin dhe shkon deri në rastet fatale kur nuk ka informacionin dhe vëmendjen e duhur. Ekspertët shkencorë kanë shkruar në studim se një nga sfidat e menaxhimit të këtyre sëmundjeve është se ato nuk shkaktohen nga një bakter apo virus i vetëm, por nxisin shumë patogjene për të vepruar në trup. Sipas të dhënave trendi për sëmundjet diareike është rritur kudo në botë dhe kështu janë shtuar edhe vizitat për fëmijët.
Siç përshkruan dhe mjeku Kaloshi këto ngjarje lidhen më së shumti me higjienën dhe në studim ekspertët shkruajnë se shtimi i sëmundjeve diareike duhet të trajtohet menjëherë. Të dhënat shkencore shpjegojnë se diarreja mund të shkaktojë dehidrim që do të thotë se trupi ka pamjaftueshmëri të lëngjeve për të kryer funksionet e tij, gjë që mund të jetë i rrezikshëm jo vetëm tek fëmijët por edhe tek të moshuarit. Në studim shkruhet se pavarësisht klimës, fëmijët duhet të kenë edhe kushtet që të mos favorizojnë zhvillimin e këtyre sëmundjeve dhe në rastet e prekjes, gjëja e parë që duhet të bëhet është dehidratimi i fëmijëve nën kujdesin mjekësor.
“Bota po mban një barrë të madhe për sa i përket sëmundjeve diarreike kështu që sa më shumë rëndësi t’i kushtohet atyre aq më shpejtë i shmangim ato” kanë shkruar studiuesit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë