Gazeta Si – Gjobë e majme për sulmuesin e Mançester Junajtid, Markus Rashford. Ai duhet të paguajë më shumë se 760 mijë euro, një shumë e barasvlefshme me pagën e dy javëve për futbollistin. Pse? Rashford nuk mori pjesë në një seancë stërvitore, duke u hequr si i sëmurë.
Çështja shpërtheu një ditë pas fitores në Kupën e Anglisë ndaj Njuport. Në atë ndeshje lojtari mungoi, sepse sipas versionit zyrtar të klubit ishte i padisponueshëm. Por pas mungesës së Rashford fshiheshin të tjera arsye edhe ishte vetë trajneri ten Hag që e la të nënkuptohej një gjë e tillë: “Është çështje e brendshme, orët e ardhshme do ta analizojmë”, – tha holandezi.

Misterin e kanë zbuluar tabloidët anglezë, duke publikuar fotot e natës së kaluar nga Rashford në Belfast, më pak se 48 orë përpara impenjimit në Kupë. Ishte një sërë fotosh, që dokumentoi çdo moment të ditës së kaluar nga sulmuesi në shoqërinë e mikut futbollist Ro-Shaun Uilliams. Pije alkoolike dhe në fund në shoqërinë e një femre në dhomën e një hoteli.
Këto foto hodhën poshtë versionin e lojtarit ndaj klubit të tij për mungesën në stërvitje. Rashford u thirr me urgjencë për një takim me drejtuesit dhe trajnerin. Nuk mjaftoi ndjesa e lojtarit për të evituar gjobën e rëndë, aq më tepër po të kemi parasysh edhe disa sjellje të tjera pak profesionale.
Markus Rashford njollos kështu imazhin e djalit të mirë, të impenjuar në jetën sociale. Një status që e kishte fituar me impenjimet e tij në moshë të re për beteja të ndryshme, si ato për fëmijët në nevojë.
Edhe tifozët e Mancester Junajtid duket se e kanë humbur durimin me sulmuesin, por e ardhmja e tij mbetet e lidhur me ‘Old Trafford’, pasi ka rinovuar deri në vitin 2028, me një pagë që i kalon 12 milionë euro në vit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




