Kryeprokurorja Arta Marku në analizën vjetore të Prokurorisë së Tiranës dhe asaj të Apelit ka kritikuar prokurorët për hetimin e dosjeve. Marku u shrepeh se Tirana ka ngarkesë, por kjo nuk justifikon zvarritjen e çështjeve pa justifikim duke i lënë prej vitesh në sirtar. Arta Marku kërkoi nga prokurorët që të hetojnë pastrimin e parave, pasi sipas saj ka shumë pak çështje që janë regjistruar duke mos iu përgjigjur realitetit.
“Në prokurorinë e Tiranës ngarkesa ka qenë më e madhe dhe si duket ka ulur cilësinë dhe efektivitetin në punë. Nuk jeni përqendruar në cështje sa duhet. Çështje mjaft të rëndësishme janë zvarritur pa justifikim, rrinë në sirtar prej vitesh me një mungesë të theksuar përgjegjësie. Për pastrim parash janë regjistruar shumë pak cështje. Kjo situatë nuk i përgjigjet realitetit dhe Shqipëria mund të marrë kritika nga Manival, institucioni i monitorimit të pastrimit të parave.
Hetimet janë të pakta. Përgjegjësia është e secilit prej jush dhe në një moment secili do të mbajë përgjegjësinë që i takon. Kërkoj që të vijoni që të punoni dhe kryerjen e veprimeve hetimore. Nëse veprohet shpejt nuk u lihet hapësirë spekulimeve. Bëni kujdes me deklaratat publike, pasi rrezikoni funksionin primar, atë të hetimeve. Prokuroria nuk mund t’i përgjigjet politikës cdo herë me deklarata”, është shprehur kryeprokurorja.
Ndërkohë kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi ka kërkuar luftë më efektive ndaj krimit të organizuar.
“Unë do ju lutesha ta shihni KLP si pjesë të zgjeruar të familjes. Kemi detyra dhe përgjegjësi të përbashkëta, të arrijmë rezultate në luftën kundër krimit. Ndëshkimi duhet të bjerë aty ku duhet të bjerë. E nevojshme është të krijojmë ura komunikimi”, tha ai.
Analiza vjetore u drejtua nga drejtuesja e Prokurorisë së kryeqytetit, Elisabeta Imeraj. Pjesë e analizës është edhe puna e prokurorive të Matit, Dibrës, Kurbinit dhe Krujës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



