Treg

“Marketingu në rrjete sociale, i kufizuar dhe afatshkurtër”

Enea Janko, Bashkëthemelues dhe Administrator i Tirana Business University dhe aktualisht Administrator i EJ Business Consulting., mendon se marketingu digjital në rrjetet sociale duke angazhuar personazhet e njohur, është i kufizuar dhe afatshkurtër.

Në një intervistë për gazetën “Si”, Janko shpjegon se “Sistemet e marketingut digjital janë një kombinim i artit dhe shkencës, që bazohen sa te kreativiteti i kontentit dhe imazheve figurative, video dhe audio, që ndërtohen dhe promovohen në mediat online, me qëllim njohjen dhe rritjen e reputacionit të brandit të  kompanisë apo produkteve dhe shërbimeve të saj, po aq edhe te gjurmimi, mbledhja dhe përpunimi i të dhënave për blerësit potencial apo klientët ekzistues me qëllim të përdorimit të këtyre të dhënave  për ndërtimin e strategjive efektive të krijimit të produkteve apo shërbimeve të reja, apo përmirësimin e atyre ekzistuese në përputhje me nëvojat e konsumatorëve, si edhe ndërtimin dhe implementimin e strategjive efektive të shitjes dhe marketingut për të rritur avantazhet ndaj konkurentëve.”

Përsa i përket përdorimit të influencerave për marketing në Shqipëri, Janko mendon që ka një lloj efekti për reklamimin e produkteve të kompanive, përsa kohë këta persona publik që përdoren për të influencuar blerësit, kanë një numër të madh ndjekësish në mediat e tyre sociale, por ndërkohë “ky lloj marketingu nuk besoj që ka shumë peshë për ndërtimin e brandit dhe rritjen e reputacionit të kompanive dhe produkteve të tyre, sepse në shumicën e rasteve këta “influencues” nuk janë profesionistë apo njohës të mirë të produkteve apo shërbimeve që ata marketojnë.”

Nga eksperienca juaj pranë bizneseve, trajnimet e ndryshme si profesor dhe ekspert, a ka ndryshuar ndopak mentaliteti dhe qasja ndaj shitjeve në Shqipëri? Si shesin bizneset në vend?

#marketing #gazetasi #influencer #shitje

Mentaliteti dhe mënyra e qasjes së bizneseve ndaj shitjes në Shqipëri, sigurisht që ka ndryshuar disi në vitet e fundit, kur vihen re rritja e tendencës për të shitur online, jo vetëm nga kompani të mëdha dhe të mirëorganizuara me stafe profesionale, por edhe nga biznese të vogla apo individë të cilët përmes portaleve apo llogarive individuale online apo në mediat sociale si Instagram apo Facebook, kanë ndërtuar bizneset e tyre të shitjes online.

Gjithsesi po t'u referohemi studimeve, rezulton se Shqipëria është vëndi i fundit në Europë përsa i përket volumeve të shitjes online, ku vetëm rreth 15 përqind e popullsisë deklarojnë se kanë bërë të paktën një herë të vetme blerje online, ndërkohë që në vendet e zhvilluara rezulton që mb 80% e konsumatorëve blejnë online.

Niveli i ulët i shitjeve online në Shqipëri diktohet jo vetëm për shkak të mentalitetit të drejtuesve të kompanive të biznesit dhe nivelit të ulët të përdorimit të teknologjive të informacionit dhe komunikimit, apo përdorimit të teknologjive bashkohore të shitjes dhe marketingut,  por edhe për shkak të mentalitetit të blerësve të cilët janë përgjithësisht mosbesues, si edhe pengesave të tjera, si numri shumë i ulët i përdoruesve të kartave të kreditit, niveli i ulët i të ardhurave për shumicën e qytetarëve etj.

Ndërkohë nëse do të flasim për modelet e shitjes që aplikohen në Shqipëri, është lehtësisht e konstatueshme se shumica e kompanive aplikojnë modele dhe teknika jobashkohore të shitjes. Ato mbështeten kryesisht te konkurenca nëpërmjet çmimeve të ulta të produkteve dhe shërbimeve, te informacioni i kufizuar dhe manipulimi i konsumatorëve dhe klientëve të tyre.

Ndërsa modeli i ri bazohet në ndërtimin dhe promovimin e sistemit të vlerave që bartin kompanitë shitëse dhe të vlerave që këto kompani, produktet apo shërbimet e tyre, si edhe ekipet e tyre të shitjes ofrojnë për klientët dhe konsumatorët e tyre. Pra modeli i ri i shitjes nuk fokusohet te çmimet apo llogaritë e fitimeve të kompanisë, por te njohja e thellë e nevojave dhe interesave të klientëve dhe konsumatorëve dhe angazhimi për ti shërbyer atyre për plotësimin e këtyre nevojave dhe interesave duke fituar pëlqimin e tyre, respektin dhe besimin e tyre, për të ndërtuar një marrëdhënie të qëndrueshme dhe afatgjatë me përfitime për të dyja palët.

Po mentalitetin e të bërit marketing në Shqipëri si e vlerësoni?

Po, edhe mentaliteti i të bërit marketing nga kompanitë e biznesit është i lidhur me mentalitetin e shitjes. Një pjesë e madhe e bizneseve vazhdojnë të besojnë se marketingu nuk është shumë i domosdoshëm, për sa kohë ata besojnë që çelësi i suksesit janë çmimet e ulta të shitjes së produkteve, që në shumicën e rasteve bën të domosdoshme edhe manipulimin e përmbajtjes dhe cilësisë së produkteve nga ana e këtyre kompanive, si pasojë edhe manipulimin e klientëve dhe konsumatorëve të cilët besojnë se pavarësisht çmimit të ulët janë duke blerë produkte apo shërbime cilësore.

Si në botë edhe në Shqipëri prej do kohësh vihet re një lloj marketingu dixhital, në rrjetet sociale, kryesisht Instagram përmes influencerave. Si e vlerësoni këtë mënyrë të të bërit marketing? Cilat janë avantazhet dhe disavantazhet? A ka sukses kjo qasje marketingu në shitje? A do të mundnin influencerat të bënin marketing të mirëfilltë nëse ju ofrohej si pozicion pune?

Në Shqipëri përgjithësisht ka filluar të përdoret marketingu në rrjetet sociale, si Instagram dhe Facebook, të cilat kanë edhe numrin më të madh të përdoruesve. Por këtë lloj marketingu do ta konsideroja si një pjesë shumë të limituar të “marketingut dixhital”, si pasojë edhe efektet e këtij lloj marketingu janë të limituara dhe të përkohëshme.

Marketingu dixhital  është një sistem me shumë elemente ku instalimi i softuerëve profesional që integrojnë  menaxhimin e marrëdhënieve me klientët dhe marketingun dixhital ka një rëndësi të dorës së parë.

Sistemet e marketingut dixhital janë një kombinim i artit dhe shkencës, që bazohen sa te kreativiteti i kontentit dhe imazheve figurative, video dhe audio, që ndërtohen dhe promovohen në mediat online, me qëllim njohjen dhe rritjen e reputacionit të brandit të  kompanisë apo produkteve dhe shërbimeve të saj, po aq edhe te gjurmimi, mbledhja dhe përpunimi i të dhënave për blerësit potencial apo klientët ekzistues me qëllim të përdorimit të këtyre të dhënave  për ndërtimin e strategjive efektive të krijimit të produkteve apo shërbimeve të reja, apo përmirësimin e atyre ekzistuese në përputhje me nëvojat e konsumatorëve, si edhe ndërtimin dhe implementimin e strategjive efektive të shitjes dhe marketingut për të rritur avantazhet ndaj konkurentëve.

Përsa i përket përdorimit të influencerave për marketing në Shqipëri, mendoj që ka një lloj efekti për reklamimin e produkteve të kompanive, përsa kohë këta persona publik që përdoren për të influencuar blerësit, kanë një numër të madh ndjekësish në mediat e tyre sociale, por ndërkohë që ky lloj marketing nuk besoj që ka shumë peshë për ndërtimin e brandit dhe rritjen e reputacionit të kompanive dhe produkteve të tyre, sepse në shumicën e rasteve këta “influencues” nuk janë profesionistë apo njohës të mirë të produkteve apo shërbimeve që ata marketojnë.

Nëse këta “influencues” do të kishin sukses në marketing nëse do të punësoheshin në role marketuese si staf i kompanive, kjo do të varej shumë si nga cilësitë e personalitetit të tyre ashtu edhe nga formimi i tyre i përgjithshëm dhe arsimimi që lidhet me fushën e marketingut dhe shitjes. Por ata që zotërojnë cilësitë e duhura të personalitetit dhe kanë dëshirën dhe motivimin për të qënë të suksesshëm në fushën e marketingut, besoj që me ndjekjen e trajnimeve të duhura edhe mund tja dalin.

Cili është marketingu më i efektshëm në shitje sipas jush?

Kjo varet nga përmasat e biznesit, nga fusha e industrisë ku operon biznesi, nga mundësitë financiare për të ndërtuar dhe implementuar strategjitë më të efektshme, etj., por një kombinim i teknikave të marketingut tradicional si reklamat në media radio televizive, reklamat outdoor dhe indoor, materialet promocionale, etj., me teknikat e marketingut dixhital, si ndërtimi dhe përdorimi i një websiti profesional që është strumbullari i këtij lloj marketingu, me teknikat e SEO-s, faqet në mediat sociale, reklamat online, email marketing etj., do të jepnin një efekt maksimal.

Ashtu siç përmëndëm më lart që kanë ndryshuar modelet dhe teknikat e shitjes, po ashtu edhe marketingu tashmë ka evoluar, duke u zhvendosur  nga përdorimi i marketingut masiv te përdorimi i marketingut të personalizuar dhe që synon rrjetet e konsumatorëve dhe knientëve potencial. Pra sot marketingu synon që të jetë jo vetëm efektiv, por edhe më efiçient dhe me rezultate të matshme. S.V


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë