Art dhe Kulture

Marinela Ndria, drejtorja e re e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit

Restauratorja Marinela Ndria është drejtorja e re e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit. Lajmi është bërë me dije nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti.

“Me bindjen se ky institucion do të fokusohet edhe më shumë në fushën e restaurimit të pasurisë filmike që ruhet në të, me synimin final të ngritjes së një muzeu filmi, i urojmë suksese Marinelës në detyrën e saj sa të bukur edhe të vështirë”, shprehet Margariti në një postim në rrjetet sociale, teksa i uron detyrën e re Ndrias.

Marinela Ndria vjen në këtë detyrë të re pas angazhimit si përgjegjëse e Laboratorit Qendror të Restaurimit pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave. Më herët, ka kryer funksionet e lektores në Shkollën Shqiptare të Administratës Publike, restauratore e veprave të artit në Drejtorinë Rajonale të Kulturës Kombëtare, Tiranë dhe shefe e sektorit të veprave të artit në Drejtorinë Rajonale të Monumenteve të Kulturës, Tiranë.

Marinela Ndria është diplomuar pranë Fakultetit të Arteve Figurative, Universiteti i Arteve, Tiranë. Ka kryer një sërë specializimesh në Instituto per l’Arte e il Restauro, Palazzo Spinelli, Firenze, Itali; United Nationals Education, Schientific and Cultural Organization Venice Office-Bresce etj.

Më herët këtë post e mbante Iris Elezi, e cila u shkarkua në tetor të 2021 nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti, për shkelje në detyrë. Shkak për shkarkimin e saj ishte punësimi i bashkëshortit të saj, Tomas Logoreci në të njëjtin institucion, ku eprore ishte e shoqja. Pas shkarkimit, nuk pati asnjë reagim nga ana e Elezit.

Arkivi Qendror i Filmit është institucion nën varësinë e Ministrisë së Kulturës dhe merret me ruajtjen, përpunimin shkencor, pasurimin me materiale të reja dhe shfrytëzimin e materialeve arkivore filmike për krijime të veprave të reja kinematografike e televizive dhe veprave studimore.

AQSHF ruan dhe mbron edhe materiale të tjera të historisë së krijimit filmik, si skenarin letrar, skenarin regjisorial, listën e montazhit, fotografi.

Koleksioni i AQSHF është krijuar kryesisht nga fondi i depozitës legale të prodhimit shqiptar të filluar prej vitit 1947, i cili ka qenë kryesisht prodhim i një qendre të vetme shtetërore, Kinostudios “Shqipëria e re”, aktiviteti i së cilës fillon në vitin 1952 dhe përfundon në vitin 1992.

Në fondin filmik të Arkivit të Filmit gjenden gjithashtu materiale arkivale të grumbulluara nga privatizimi i të gjithë filmave artistikë, dokumentarë dhe kronika të prodhimit të huaj, që nga shfaqjet e para luftës deri në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, të konsideruara plaçkë lufte.

Por, koleksioni i AQSHF vazhdon të pasurohet nga prodhimi kinematografik shqiptar dhe bashkëpunimet e huaja me kompanitë shqiptare private të prodhimit filmik, të cilat kanë filluar prej vitit 1992.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë