Marin Barleti çmohet si historiani i parë dhe i vetëm shqiptar prej dëshmisë okulare të rrethimit të Shkodrës më 1478. Disa studiues do të pohonin se ka qenë italian nga familja Barletius - nga Barletta e Puljes - ose dalmat për nga etnia, ndërsa shumica besojnë se qe - siç identifikohej - epirotas, për nevojat historiografike i shënjuar arbër, shqiptar.
Ai lindi rreth vitit 1460 në Shkodër dhe ishte teolog dhe prift katolik dhe historian dhe u bë një ndër më të mëdhenjtë e letërsisë së vjetër shqipe.
Edhe pse për jetën e tij dihet në fakt shumë pak, nga të dhënat nga enciklopedia thuhet se në moshë të re në vitin 1478 mori pjesë në rrethimin e parë të Shkodrës, kur ky qytet i bekuar u sulmua për herë të parë nga osmanët.
Aty do të njihej nga afër me heroizmin e madh të bashkëqytetarëve të tij dhe u frymëzua më vonë për ta përcjellë ndër vite më pas në veprat që botoi.
“Nuk mund ta kujtoj atë luftë pa lot në sy”, do të shprehej ai në librat e tij.
Rënia e Shkodrës, që ishte një nga kalatë e fundit të qëndresës shqiptare pas vdekjes së Skënderbeut, e detyroi Barletin, si edhe shumë të tjerë bashkëatdhetarë të tjerë të mërgonte në Venedik më 1504.
Në Venedik, ai do të plotësonte kulturën e tij humaniste dhe u bë një njohës i thellë i letërsisë klasike dhe i gjuhës latine, në të cilën shkroi veprat e tij.
Në mjedisin e të mërguarve të shumtë shqiptarë, ku shumë prej tyre kishin qenë bashkëluftëtarë të Skënderbeut, ai do të fitonte mjaft njohuri të gjera për epokën e heroit dhe luftën e madhe të popullit shqiptar për liri, të cilat i zgjeroi edhe me të dhënat e literaturës.
Veprat e Marin Barletit qëndrojnë si një burim i dorës së parë e të pazëvendësueshme për historinë e shekullit XV të Shqipërisë, si dhe të Europës Juglindore.
Koncepti i lartë i Marin Barletit për historinë e vërteton atë si një mendimtar të shquar, tek i cili kleriku zhduket prapa humanistit.
Veprën e vet ai e mendonte si një përmendore që ia kushtonte luftës për liri të atdheut dhe popullit të veta. Ajo nuk pati vetëm një funksion thjesht estetik, por do t’i shërbente së vërtetës, si mësuese e jetës, që do t’i mësonte njerëzit për të hapur sytë e për të drejtuar si duhet punët e njerëzimit.
“Historia e jetës dhe e bëmave të Skënderbeut”
“Historia e jetës dhe e bëmave të Skënderbeut” është vepra madhore e Marin Barletit. Ajo e tregon autorin si një shkrimtar të nivelit të lartë dhe si historian që përpiqet të ndërtojë kuadrin e saktë të jetës së heroit dhe, jep njohuri të gjera për ngjarjet në shekullin XV dhe çfarë zhvillimi ka pasur në atë kohë shoqëria, fshatarësia shqiptare, jo vetëm nga ana historike, por edhe nga ana kulturore, ekonomike dhe drejtime të tjera.
Autori mbron të drejtën e një populli për të jetuar i lirë, himnizon njeriun dhe forcën e tij, heroizmin njerëzor dhe dashurinë e natyrshme për trojet e të parëve. Duke qenë një vepër historike, libri i Barletit ka rëndësinë për të dhënat dhe faktet që sjell.
Pa këtë vepër, historiografisë për Skënderbeun do t’i mungonin burimet e para, që e kanë ushqyer dhe vazhdojnë ta ushqejnë edhe sot.
Në disa raste, i rrëmbyer nga entuziazmi që i shkakton kujtimi i ngjarjeve heroike që përshkruan edhe urrejtja për pushtuesin, Barleti i zmadhon ngjarjet e‚ sidomos ndryshon shifrat e pjesëmarrësve në luftime.
Por, prapëseprapë, në thelb dhe në frymën e saj të përgjithshme vepra i përmbahet së vërtetës historike. Historia e jetës dhe e bëmave të Skënderbeut është, në radhë të parë, një vepër historike, por e shkruar nga një dorë mjeshtri.
Stili i gjallë dhe elegant me të cilin e ka shkruar Barleti, e bëjnë atë një vepër edhe me vlerë letrare. Këto vlera qëndrojnë në gjuhën e pasur dhe në figuracionin e pasur, në mjeshtërinë plastike të vizatimit të figurës së Skënderbeut, në frymën patetike dhe vrullin tronditës që përshkon tregimin, si dhe në bukurinë, gjerësinë dhe lehtësinë e frazës.
Fan Noli do të shkruante se vepra e Barletit “fitoi këndonjës anembanë botës dhe e bëri të pavdekshëm kujtimin e Skënderbeut në Europë”.
Barleti e jep Skënderbeun si personifikim të heroit që mishëron forcën e njeriut, aftësinë dhe bukurinë fizike e morale të kësaj krijese të mrekullueshme, sipas botëkuptimit humanist. Figura e tij del madhështore, si një hero legjendar, simbol i çlirimtarit dhe i mbrojtësit të lirisë, prijës i një populli luftëtar e trim , të dashuruar deri në dhembje me trojet e veta dhe me lirinë.
“Rrethimi i Shkodrës”
“Rrethimi i Shkodrws” jep historinë dramatike të luftës për jetë a vdekje të banorëve të qytetit të rrethuar për një vit nga osmanët në vitin 1478–1479.
I mbështetur në shënimet e kujtimet e veta si dhe të pjesëmarrësve të tjerë, libri jep një tregim të saktë të ngjarjeve politike-ushtarake, por sidomos të aspektit të brendshëm, të vetëdijes së lartë patriotike të banorëve të qytetit. Shkruar në latinisht dhe e botuar në Romë rreth viteve 1508-1510.
Kjo vepër u shkrua në latinisht dhe u botua në Romë rreth viteve 1508-1510. Në kohën e vet u ribotua latinisht tri herë dhe u përkthye në disa gjuhë europiane. U përkthye në anglisht për herë të parë në vitin 2012 si “The Siege of Shkodra”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.