Qeveria me vendim të Këshillit të Ministrave ka aprovuar shpronësimin e të gjithë bashkëpronarëve, duke i hapur rrugë në këtë mënyrë projektit për ta shndërruar këtë godinë në funksion të artit dhe kulturës.
Godina do t’i nënshtrohet rikonstruksionit dhe do të vihet në dispozicion të qytetarëve që përveç shndërrimit të saj në një muze, do të ketë edhe një hapësirë dedikuar librit, për të cilën ministrja e Kulturës, Elva Margariti, ka bërë me dije se ka filluar dialogu me qeverinë amerikane.
“Sot mori fund saga e banesës së Toptanasve, njohur edhe si ‘Sarajet’, ish-ndërtesa e bibliotekës së parë shqiptare, monument kulture i kategorisë I, që këtë verë u përpoqën që ta zhduknin me zjarr. Qeveria shqiptare mori vendimin e shpronësimit të pronarëve të kësaj ndërtese për ta restauruar, rijetëzuar e kthyer në një hapësirë kulture, dedikuar librit, për ngritjen e së cilës jemi në bisedime me qeverinë e SHBA-ve”, është shprehur ministrja e Kulturës, Elva Margariti.
Dy muaj më parë u tentua djegia e qëllimshme e Sarajeve të Toptanëve, që u shoqërua me akuza e kundërakuza mes bashkëpronarëve.
Pas vendosjes së zjarrit, për të parandaluar që ky skenar të përsëritej, u mor vendimi që Sarajet e Toptanëve, monument kulture i kategorisë së parë të ruhen nga policia dhe të kthehen në muze.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.