Njerez

Margarita! Ti nuk ke ikur, por je!

Si pak artistë nën regjimin komunist, ajo i dha publikut shqiptar imazhin e një artisteje moderne e cila gjendej në atë realitet ndoshta si destin por dhe mision, për ta zbutur sapak dëshpërimin e një kohë të errët me artin e saj brilant.

Nga Gazeta “SI” -Vetëm një ditë më parë Margarita Xhepa do të mbushtte 91 vjeç. Askush nga ne nuk e di sesi e priti ajo ditën e lindjes së saj. Por duke pasë parasysh karakterin e saj të fortë dhe këmbënguljen për të mos e lëshuar skenën asnjëherë, mund të mendojmë se ashtu siç jetoi, ashtu edhe iku fizikisht. E bukur , vendosur dhe mbase duke ndërmendur ndonjë nga rolet e saj.

Shumë pak ndoshta e mbajnë mend rolin e Zyrakës në filmin “Vitet e para” ku ajo luante rolin e një gruaje moderne e cila shfaqej në disa skena të ndryshme me kanotierën e bardhë dhe cigaren në dorë , një pamje e një gruaje e cila “stononte” krejtësisht me mjedisin e varfër dhe të prapambetur jo vetëm të rrethanave të filmit por dhe të Shqipërisë së viteve 60-të.

Dhe ndoshta ai karakter e “përndoqi” Margarita Xhepën në të gjitha rolet e saj të mëvonshme, ku ajo ishte ndër të rrallat që bashkonte elegancën dhe sharmin e gruas shqiptare moderne me aftësinë e rrallë të një aktoreje e cila nga roli në rol, dhe nga filmi në film krijoi modelin dhe staturën e një ikone të skenës kinematografike shqiptare.

Kështu e kujton edhe Luiza Xhuvani, e cila në një prononcim për Gazetasi.al tha se Xhepa do të jetë gjithmonë një model për të gjitha artistet.

Pjesë e 150 roleve, në të shumtën prej tyre si protagoniste, Margarita Xhepa nuk ishte kurrë e tepërt, nuk ishte kurrë e mërzitshme, përkundrazi sa më shumë role i besoheshin aq më shumë rritej padurimi në publik për ti parë dhe shijuar rolet  e saj.

Vasjan Lami thotë se ajo u largua fizikisht, por do të jetë përjetësisht e gjallë me krijimtarinë e saj të mrekullueshme.

Si pak artistë nën regjimin komunist, ajo i dha publikut shqiptar imazhin e një artisteje moderne e cila gjendej në atë realitet ndoshta si destin por dhe mision, për ta zbutur sapak dëshpërimin e një kohë të errët me artin e saj brilant.

Nga Shano te “Dimri i madh , Eleni tek “Koncert në vitin 36”, Tefta te “Rrethi i Kujtesës” e deri tek Firdus në “Bolero në Vilen e pleqve”, transformimet e saj sipas rolit dhe karakterit ishin në kufinjtë e të pabesueshmes, çka shpesh na bënin të besonim se përmasat e saj ishin shumë të mëdha sesa sinorët që i vendosën kufinjtë politikë të Shqipërisë.

Në vitin 2020 kur u diskutua projektligji për ndalimin e filmave të komunizmit, Xhepa reagoi me frikën dhe shqetësimin e njeriut të përkohshëm i cili ndjen se harresa tashmë gllabëron secilin, duke lëshuar thirrjen e saj “ Kaq shpejt do të na harroni?”.

“Që të bëhesh aktore duhet ta duash këtë profesion dhe të punosh fort. Arti i ka majat e larta, lum kush punon ti arrijë ato maja” do të thoshte në një dalje publike para pak muajsh. Ndoshta edhe si një amanet i fundit për brezat e ardhshëm të aktorëve të cilët i frymëzoi dhe i rriti jo vetëm në skenë por edhe në jetë, si një nga mbështetëset më të mëdha të atyre që aspironin të ndiqnin gjurmët e saj.

Margarita Xhepa nuk rreshti kurrë së dhëni zë skenës, edhe në vitet e fundit të jetës saj, duke qënë aktive në teatro dhe festivale, e duke përmbushur premtimin që i kishte dhënë vetes, të luante në skenë deri sa të mos kishte më forcë as shpirt. Dhe ashtu ndodhi, sepse nuk ka artistë të mëdhënj pa një forcë të madhe të brendshme e cila i ngre ata në piedestalin e jetës, për ti mbajtur aty përgjithmonë, edhe kur jeta fizike mbaron, edhe kur shpirti i tyre endet shtjellave të përjetësisë. Emri i Margarita Xhepës e fitoi  përjetësinë në të gjallë, çka rrallë njerëz të tjerë  e arrijnë sepse ajo ia fali të gjithë qënien e saj, artit dhe njeriut. Ajo jetoi për ne…dhe mbetet për ne.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë