Lajme

Pavarësia e Maqedonisë, Merkel pro marrëveshjes për emrin

Republika e Maqedonisë sot shënon 27-vjetorin e pavarësisë së saj nga ish-Federata Jugosllave.

Ushtria e nisi festën me një breshëri nderi artilerie të rëndë nga batalioni përkatës në kazermën “Ilinden” në Shkup, mbrëmjen e 7 shtatorit.

Ceremonia qendrore për Pavarësinë e Maqedonisë, gjithsesi do të mbahet mbrëmjen e kësaj të shtune përpara godinës së qeverisë maqedonase, ku pritet të flasë edhe kryeministri Zoran Zaev.

Festimi i 27-vjetorit të Pavarësisë përkon edhe me vizitën e Kancelares gjermane, Angela Merkel, e fundit mes krerëve të vendeve perëndimore që viziton Shkupin gjatë kësaj jave, pas ndalesave të mëparshme të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, dhe Kancelarit austriak, Sebastian Kurz.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, u prit ditën e sotme me një ceremoni solemne nga kryeministri Zoran Zaev. Merkel është kancelarja e parë gjermane që viziton Maqedoninë, pas vizitës së shkurtër të kancelarit Gerhard Shroeder në vitin 1999, për shkak të krizës në Kosovë.

Maqedonia, më 30 shtator voton në referendum për marrëveshjen me Greqinë, nga e cila varet edhe integrimi në NATO dhe Bashkimin Europian. Suksesi i referendumit hap rrugën për anëtarësimin në Aleancë, nga e cila ka marrë edhe ftesën, ndërsa pritet që të nisë gjithashtu edhe bisedimet për anëtarësimin në BE.

Gjatë konferencës së përbashkët, kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka theksuar se referendumi është i rëndësishëm për të ardhmen e Maqedonisë dhe se është një shans historik.

Merkel gjatë konferencës së përbashkët

“Referendumi është mundësi për hapjen e dyerve të vendit tuaj për të qenë pjesë e BE dhe NATO. Nevojitet shumë punë, por parakushti është referendumi më 30 shtator. Nuk dua të përzihem në punët e qytetarëve, por është shans historik, që nuk vjen më. 30 shtatori është shans historik, dhe mos rrini në këtë ditë në shtëpi, por shfrytëzoni të drejtën tuaj demokratike se çfarë mendoni për vendin tuaj”, theksoi kancelarja Merkel.

Kancelarja gjermane u pyet edhe për idenë e shkëmbimit të territoreve në rajon, një ide që po flitet mes Kosovës dhe Serbisë.

“Në aspektin gjerman dhe europian kemi interes për rajon stabël. Kjo është kyç për stabilitetin edhe të Europës dhe BE. Unë besoj se integriteti territorial është kyç për rajonin”, theksoi ndër të tjera Merkel, duke mos dhënë në këtë mënyrë një përgjigje të drejtpërdrejtë.

Shkëputja nga ish-Federata Jugosllave

Referendumi popullor që e shpalli Maqedoninë shtet të pavaruar dhe sovran atëkohë u bojkotua nga shqiptarët në Maqedoni, të cilët kërkuan statusin e autonomisë dhe nuk ishin të kënaqur me pozitën e arritur në Kushtetutën e re të këtij vendi. Sipas vlerësimeve shtetërore të asaj kohe, mbi 95 për qind të qytetarëve që dolën në referendumin e 8 shtatorit të vitit 1991, iu përgjigjën pozitivisht pyetjes së referendumit “A jeni për Maqedoni të pavarur me të drejtë të hyjë në fuqi në aleancën e ardhshme të shteteve sovrane të Jugosllavisë”.

Ndërkohë, Deklarata për Pavarësi u miratua nga Parlamenti i parë i Maqedonisë shumëpartiake më 25 janar të vitit 1991. E para që e ka njohur shtetësinë e Maqedonisë ishte Republika e Bullgarisë, duke u pasuar nga Turqia, Sllovenia, Kroacia, Rusia, Bosnjë e Hercegovina. Sakaq, më 26 prill 1992 shteti fitoi pavarësinë monetare me vendosjen e denarit dhe më pas fitoi edhe Armatën e vet, e cila ditëlindjen e feston më 18 gusht.

Hap i ardhshëm me rëndësi në përforcimin e shtetit ishte miratimi i Kushtetutës së re më 17 nëntor 1991.

Shtetësinë e Maqedonisë e para e njohu Republika e Bullgarisë, pas çfarë pasuan njohjet nga Turqia, Sllovenia, Kroacia, Rusia, Bosnjë e Hercegovina.

Maqedonia deri tani ka vendosur marrëdhënie diplomatike me 170 shtete në botë, ndërsa me emrin kushtetues është pranuar nga 135 shtete në mesin e të cilave edhe nga tre anëtaret në Këshillin e Sigurisë – Kina, Federata Ruse dhe SHBA-ja.

Edhe përkundër plotësimit të të gjitha kritereve për anëtarësim të barabartë në NATO në Samitin e Aleancës në Bukuresht në prill të vitit 2008, Republika e Maqedonisë mori vetëm ftesë të kushtëzuar për anëtarësim, pasi Greqia për shkak të kontestit për emrin e bllokoi pranimin.

Në vitin 2005 Maqedonia mori statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE, ndërsa vjet edhe rekomandim nga KE-ja për fillimin e negociatave me Unionin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë