Menaxhim

Manja prezanton paketën e mbrojtjes së territorit dhe hapësirës publike: Do të krijojmë ‘listën e zezë’

Nga Gazeta ‘SI’ – Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja ka bërë të ditur disa nga masat që përfshin paketa e qeverisë për mbrojtjen e territorit.

Gjatë takimit, Manja tregoi se paketa do të ketë masa penale dhe administrative më qëllim ndalimin e ndërtimeve pa leje dhe rikthimin e hapësirës publike në funksion të jetës komunitare.

“Paketa synon të ndalojë fenomenin e ndërtimeve pa leje duke forcuar mekanizmat ligjorë gjatë zbatimit të ndërtimit. Fillon që në fazat e para të ndërtimit, kur hapet kantieri, deri kur objekti dorëzohet me certifikatë përdorimi. Të çlirojë dhe rikthejë hapësira publike duke i kthyer ato në funksion të jetës komunitare dhe zhvillimit urban të balancuar.

Të mbrojë resurset natyrore dhe mjedisin si një pasuri e patjetërsueshme kombëtare. Të forcojë transparencën dhe kontrollin institucional në mënyrë që qytetarët të kenë besim se territori i vendit po administrohet me përgjegjësi dhe kohë reale. Të nxisë turizmin dhe ekonominë e gjelbër duke siguruar hapësira të lira dhe të pastra për vizitorët dhe qytetarët dhe duke kontribuuar në krijimin e një fondi të gjelbër. Ndalimin e abuzimeve me mosrespektimin e projekteve arkitektonike të miratuara nga organet përgjegjëse”, tha ministri Manja, duke theksuar se do të krijohet një listë e “zezë” me të gjithë emrat e zhvilluesve, ndërtuesve e deri tek punonjësit e administratës që shkelin ligjin.

“Kësaj liste të zezë nuk do t’i shpëtojë askush. Dikur i shpëtonin ligjit duke ndryshuar emrin e kompanisë apo administratorin. Përjashtohen nga marrja e lejeve të ndërtimit për pesë vite. Sigurisht, në konceptin e zhvillimit të territorit, bashkëpunimi në rastin konkret është i detyrueshëm sipas ligjit. Do të monitorohen në kohë reale,” tha Manja, i cili shtoi se punonjësit e administratës që do të kryejnë këto shkelje do të largohen nga puna, dhe punonjësit do t’i ndalohet të punojë në institucione publike për një periudhë 7-vjeçare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë