Nga Gazeta ‘SI’ – Qeveria ka vendosur rishikimin e ligjit për koncesionet dhe PPP-të brenda 2025-s. Kështu thuhet në draftin e sapopublikuar për disa ndryshime në ligjin e Prokurimeve Publike.
Aty theksohet se qeveria po punon me ekspertët e OECD-së, për të plotësuar mangësitë ligjore si edhe për të adresuar shqetësimet e shpeshta të Komisionit Europian për këtë ligj.
Ashtu siç është rekomanduar herë pas here nga ndërkombëtarët, rishikimi i ligjit për PPP-të synon të forcojë rolin e ministrisë së Financës në këto projekte.
Drafti, që është momentalisht në konsultim ka në thelb ndryshimet që po bëhen tek Prokurimet Publike. Qeveria propozon krijimin e një organi qendror që do t’i kryejë prokurimet për llogari të institucioneve dhe jo më futjen e tyre në proces. Projektligji parashikon krijimin e një SH.A “Operatori i Blerjes të Përqendruara”, në varësi të kabinetit.
OBP-ja do të jetë institucion me vetëfinancim, pasi është parashikuar të tarifojë shërbimet që do të kryejë për të tretët.
Në dokument thuhet se ndryshimet e reja do ta bëjnë procesin e prokurimeve më transparent, më konkurrues, më profesional dhe më inovativ.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.