Libra

Mangat japoneze, trendi i çuditshëm që ka ‘pushtuar’ të rinjtë shqiptarë

Duket vërtet një trend në rritje lënia mënjanë e faqeve tipike të librit ku fjalët janë të ngjeshura me njëra-tjetrën dhe ku mund të “lodhesh” nga leximi dhe kalimi te librat me ilustrime apo imazhe grafike; jo atyre shqiptare por… japoneze! Mangat japoneze janë ata që po i kuriozojnë, ndoshta për t’u dukur më “trendy” apo si një mënyrë për t’u njohur me liri dhe kultura të tjera.

“One Piece”

Mangat, novelat grafike me origjinë nga Japonia që përfshihen në mediumin e historive të ilustruara në faqet fizike, janë tërheqëse jo vetëm për fëmijët, por edhe për të rriturit. Ato mbulojnë çdo lëndë të mundshme dhe për çdo “konsumator” të mundshëm: histori bejsbolli, jeta në histori të shkollës së mesme, histori intrigash biznesi, histori dashurie, etj. Përpos vendit të tyre, tashmë mangat japoneze kanë fituar terren edhe në realitetin shqiptar ku vihet re një interes i të rinjve ndaj këtij mediumi, gati-gati duke u kthyer në një trend.

“Nisa duke parë Anime me vëllain tim të madh në moshën 13-vjeçare. Më pas zbulova që animet janë përshtatja e mangave në seri dhe vura re që mangat janë akoma më dinamike pavarësisht se duhen lexuar më me vëmendje, kështu në vazhdimësi pjesën më të madhe të tyre i kam lexuar si manga”, shprehet Migena, studente e Grafik Dizajn për Gazetasi.al, e cila ka filluar të lexojë manga rregullisht që nga gjimnazi.

Migena do të rrëfejë më tej se mangat japoneze e kanë tërhequr shumë dhe shpesh u ka kushtuar orë të tëra leximit të tyre. 

“Në disa raste mund të humbisja deri në 4 orë çdo ditë, por në raste të tjera kam kaluar dhe disa muaj pa lexuar ndonjë prej tyre”, vijon më tej ajo.

Përveçse lexon vetë, ajo i sugjeron mangat për çdokënd, pasi përveç elementeve argëtuese, përmbajnë edhe life lessons (mësime jete).

“Përshkruhen edhe probleme të shoqërisë së bashku me mënyra të ndryshme se si mund të përballemi me to. Janë motivuese si në rastin e ‘One Piece’ ku personazhi kryesor kalon disa herë limitet e tij për të arritur qëllimin që kishte duke pasur një rritje mbresëlënëse me kalimin e kohës. Bëhet fjalë për rritje si në fuqi fizike edhe mendore. Theksohen shumë vlerat e një shoqërie të ngushtë, por nuk mungon sigurisht edhe tradhtia”.

Disa prej tyre që ajo përmend (përveç One Piece) janë: Death Note, Fullmetal Alchemist, Bleach, Jujutsu Kaisen, Naruto, One Punch Man, Attack on Titan, JoJo’s Bizare Adventure, Tokyo Ghoul, Hunter x Hunter, Berserk.

“Historitë e tyre janë ndryshe, nga ato që lexohen në libra. Ka manga që ndryshojnë në kategori, siç ndryshojnë dhe librat. Ideja është që po fokusohemi te kultura japoneze. Në to përfshihet dhe mitologjia, ku përfshihen dhe kafshët”, thotë për Gazetasi.al, Ergysi, një adoleshent të cilin e kuriozojnë shumë mangat japoneze.

Për të ajo që bën diferencën është pjesa e vizualizimit.

“Si në një libër, edhe mangat janë histori të shkruara, por pjesa e vizualizimit është ajo që bën diferencën, i jep jetë historisë”, vijon ai më tej për Gazetasi.al.

Të rinjtë më së shumti i aksesojnë ato online, por mangat gjenden edhe fizikisht në libraritë e Tiranës, si p.sh te librari Adrion.

“Po kemi shumë manga të ndryshme në librari dhe kemi shumë vite që i shesim, të marra direkte nga botuesit e tyre jashtë. Janë mjaft të kërkuara kryesisht nga adoleshentët, por edhe para adoleshentët”, thonë punonjësit e Librarisë Adrion për Gazetasi.al. Sipas tyre të rinjtë duken mjaft të informuar për to.

Interesimin e të rinjve për mangat japoneze e pohon edhe Bukinist, një nga platformat më të mëdha të librit online.

“Kemi kërkesa plot, është një trend tej mase i çuditshëm”, shprehet për Gazetasi.al Albert Gjoka nga Bukinist, ndërsa shton se “ne nuk i shesim, por di të them se na i kërkojnë”.

Xhekson Çela, i cili është autor i novelës grafike “Dëbim me Forcë nga Stacioni i Trenit”, thotë se mangat janë një kulturë e hershme në botë. Sipas tij përhapja e tyre në vendin tonë është e vonuar.

“Mangat lexohen gati në gjithë botën. Janë argëtuese, të thjeshta për t’u lexuar, kanë vizualizim fantastik. Në varësi të karaktereve që trajtojnë flasin për luftën mes të mirës dhe së keqes, vlera si besnikëria, nderi dhe sakrifica në rastin e Naruto Shipuden”.

Ai rrëfen se të rinjtë janë të apasionuar pas këtij formati për shkak se ato rrëfehen në një stil shumë të thjeshtë.

“I trajtojnë ngjarjet me mjaft aksion. Kanë dhe stilin e të rrëfyerit të thjeshtë që i bëjnë tërheqëse. Për mendimin tim, e paraqesin mjaft tërheqëse aspektin e krenarisë dhe kokëfortësisë së karaktereve, tipare të njeriut që të gjithë i pëlqejmë, veçanërisht adoleshentët”, shprehet Çela për Gazetasi.al.

Në rolin e lexuesit, ai thotë se ndihet nevoja për kulturën japoneze. Duke qenë se s’kemi asnjë connection (lidhje), i kuriozon të rinjtë edhe më shumë.

“Kultura japoneze nga ana tjetër na bën që të tërhiqemi pas saj, pasi është e panjohur dhe na ndez kureshtjen. Kanë rituale, zakone, norma ndryshe nga pjesa e Ballkanit dhe që janë trajtuar gjerësisht në filma. Duke qenë se jemi ekspozuar ndaj tyre, jemi kthyer edhe në konsumatorë”.

Mahnitjen pas kulturës japoneze, e pranon edhe adoleshenti Ergysi.

“Sigurisht, në disa manga që përshkruajnë qytete, ju merrni edhe referenca nga Japonia ose Kina… për shkak të strukturës së qytetit, stendave të ushqimit, sistemit të transportit hekurudhor, etj”, thotë ai.

Sipas Xhekson Çelës kultura japoneze na çon drejt lirisë dhe drejt përqafimit të potencialit të plotë.

“Kultura japoneze ka shumë për të na mësuar lidhur me vlera të paçmueshme si marrëdhënia me natyrën, disiplina, respekti, kreativiteti, këmbëngulja për të mos bërë kompromis me të keqen dhe vesin. Thellë-thellë e shtyn karakterin të thyejë limitet e tij për të përqafuar lirinë dhe potencialin e plotë”, përfundon ai. 

Siç duket, një pjese të të rinjve shqiptarë u është venitur dëshira për t’u njohur me fenomenet aktuale në Shqipëri dhe po preken direkt nga imagjinata dhe imazhet grafike të autorëve japonezë duke i kushtuar kohë kësaj kulture të largët…


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë