Njerez

Mandrica, i vetmi fshat shqiptar në Bullgari

Në kufirin greko-bullgar, në pjesën më lindore të malit Rodopa, ndodhet i vetmi fshat autentik shqiptar në Bullgari

Si çdo të diel, Mandrica zgjohet me tingullin e kambanës së kishës “Shën Dhimitëri”. Në të tashmë nuk ka prift, kurse kambanës i bie gjyshja Sulltana. Ajo hap kishën, brenda së cilës çdo të dielën mblidhen gjyshet e Mandricës. Ato ndezin qirinj, luten dhe qerasin për shëndet.

Sot janë gjallëruar shumë sepse gjatë natës në fshat ka ardhur një grup motoristësh. Ata kanë ndaluar këtu për të kaluar natën gjatë rrugëtimit për në Greqi. Zhurma e motorëve i çon banorët e Mandricës mbrapa në kohë, kur të gjithë shtëpitë trekatëshe ishin plot njerëz dhe kur fëmijët nga fshatrat e afërta vinin në shkollën e tyre për të mësuar.
Legjendën për themelimin e fshatit na e tregon Marija Stoençeva, e cila është “historia e gjallë” e fshatit.

Mandrica, Gazeta Si, 22 tetor 2019


“Fshati është themeluar në vitin 1636 nga tre vëllezër blegtorë, që vinin nga fshati Vithkuq afër Korçës. Sipas legjendës ata siguruan mish dhe qumësht për ushtrinë turke gjatë kohës së udhëtimit të saj drejt Edrenesë. Si shenjë mirënjohjeje pashai u dha të drejtën të zgjedhin vendin, ku dëshironin të banonin. Kur u vendosën ata ndërtuan një baxho dhe filluan të shesin prodhimin e tyre në fshatrat e afërta. Në bullgarisht baxho është ‘mandra’ dhe nga kjo fjalë u formua toponimi Mandrica. Zanati i vendasve më vonë u bë rritja e krimbit të mëndafshit dhe për këtë arsye rajoni i fshatit është plot me mana”, rrëfen ajo.

Mandrica, Gazeta Si, 22 tetor 2019

Shtëpitë trekatëshe prej qerpiçi janë ndërtuar posaçërisht për rritjen e krimbave të mëndafshit dhe fshati u bë një nga prodhuesit prijës në këtë degë. Kultivimi i duhanit gjithashtu ishte shumë i përhapur në fshat. Atje u zhvilluan edhe zanate të tjera. Ka pasur punishte të lëkurës, punishte për prodhimin e fuçive, për trahana, për shkrirje dhe prodhimin e kambanave etj.

“Dikur dasmat zgjatnin nga tri ditë”, kujton Marija Stoençeva. “Ato fillonin të premten me rruarjen e dhëndrit. Të shtunën shkonim në gosti, të dielën me karrocë merrej nusja. Dasmat ishin shumë të hareshme, me valle në tre rrathë. Për Pashkët, fëmijët paguanim me lekë apo me vezë të kuqe për të vozitur. Në Festën e të Lidhurave të Djathit bënim karnavale, shkonim nëpër fshat dhe secili jepte gatime për të tjerët. Pastaj fillonin vallet.”

Sipas gojëdhënave, vendasit u martuan me gra nga fshatrat e afërta dhe kështu popullsia u rrit deri në 3500 banorë. Të sapoardhurat duhej të mësonin shpejt gjuhën shqipe. 400 vjet më vonë kjo formë arkaike e shqipes akoma po flitet.

Gjuha e Mandricës është ruajtur në një fjalorth. Autorja e tij është mësuesja Marija Georgieva së bashku me ish-diplomatin dhe studiuesin e pasionuar të gjuhës shqipe Ludmill Stankov.

Mandrica, Gazeta Si, 22 tetor 2019

Paraqitja e librit në Universitetin e Sofjes u bë nga Muharrem Idrizi dhe Alush Kamberi, autorët e librit “Katër shekuj të pangjunëzuar”, të cilët e cilësojnë Mandricën një fenomen në botën e diasporës shqiptare.

Kamberi, Kryetari i Shoqatës për Ringjalljen e Mandricës dhe Idrizi nuk dëshirojnë që nga historia e fshatit të tyre të mbetet vetëm një fotografi bardhë e zi në shtëpinë e tyre në ndonjë prej qyteteve të mëdha.

Mandrica, Gazeta Si, 22 tetor 2019

Në vitin 2010 ata themeluan Shoqatën për Ringjalljen e Mandricës. Qëllimi është që të tërheqin njerëz të cilët dëshirojnë të blejnë pronat të patundshme në fshat dhe kështu ta ringjallin.

“Shpresojnë edhe te turizmi, duke përpjekur të dalin jashtë klishesë ‘turizëm fshati’, thotë Ivajllo Petrov, kryetari i shoqatës. “Kemi të gjitha kushtet për zhvillimin e turizmit kulturor dhe historik. Në rajonin e Mandricës ka kisha të vjetra dhe rrënoja të fortifikatave të vjetra. Vetëm 18 kilometra larg fshatit ndodhet vila antike ‘Armira’, e cila është një nga pasuritë e mëdha kombëtare. Ka larmi të madhe shpendësh dhe bimësh, klima është e përshtatshme për pushim. Fshati ndodhet midis dy lumenjve, që janë të përshtatshëm për peshkim”, thotë ai.

Marrë me përshtatje nga "Brn.Bg"


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë