Njerez

“Mandela i Ballkanit” që s’bënte kompromis me parimet e tij

28 vite nëpër burgjet serbe nga regjimi i Titos deri tek ai i Millosheviçit nuk e përkulën, madje e bënë akoma më këmbëngulës në atë që kishte shprehur botërisht që në nëntorin e vitit 1958, kur u arrestua për herë të parë për veprimtari armiqësore dhe propagandë.

Akuza u ngrit pas romanit “Gjarprinjtë e Gjakut”, një libër i ndërtuar në formën e dialogjeve, me një stil të pasur me figura letrare, por të thjeshtë e popullor në drejtshkrim, element që e masivizoi librin dhe bëri që për Adem Demaçin të flitej në mbarë Kosovën.

Romani ishte një kushtrim për liri e pavarësi! Një thirrje kundër skllavërimit e robërimit që vuanin shqiptarët në Kosovë! Thirrje kundër dëbimit të tyre në Turqi në ato vite! Ishte një thirrje bashkimi.

Thirrja u kuptua e mirëprit anembanë Kosovës, por u kuptua dhe zgjoi menjëherë edhe format represive të pushtetit. Adem Demaçi ishte vënë në shënjestër të shërbimeve sekrete. U arrestua në nëntor të vitit 1958 dhe u dënua fillimisht me 3 vite burg.

Përballë kishte dy mundësi: t’i dorëzohej regjimit dhe të heshtte ndaj vuajtjeve të shqiptarëve, ose të vazhdonte rrugën e nisur e të përballej me tortura të rënda në qelitë e burgjeve serbe. Zgjodhi të dytën.

Nuk u përkul deri pas viteve 1990, ku nisi shpërbërja e madhe e Jugosllavisë. La qelinë për herë të fundit pikërisht në fillim të këtyre viteve dhe në liri iu përkushtua kauzës që kishte lënë përgjysmë. Nuk humbi kohë dhe në vitin 1991 u vu në krye të Këshillit të Mbrojtjes së të Drejtave dhe Lirive të Popullit të Kosovës. Po në këtë vit u nderua me çmimin “Saharov” nga Parlamenti Europian për betejën për “lirinë e mendimit”.

Më 1994 rikthehet në qendër të vëmendjes në Beograd në një takim me intelektualët serbë. “Pse e dua kaq shumë lirinë dhe pavarësinë e Kosovës keni edhe ju faj me shkrimet tuaja për shenjtërinë e lirisë dhe pavarësisë”, u deklaronte në atë kohë.

6 vite aktivizim si intelektual nuk kishin dhënë frytet që kërkonte në rrugën e lirisë dhe vendos që të katapultohet në politikë. Zëvendëson Bajram Kosumin si kryetar të Kuvendit të Kosovës dhe gjatë kësaj periudhë kërkon krijimin e një konfederate mes Serbisë, Malit të Zi dhe Kosovës, si e vetmja mënyrë për të shmangur një tjetër luftë.

Dy vite më vonë e kishte të qartë se lufta nuk mund të shmangej dhe rreshtohet herët në krah të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në 1998 ishte zëri i saj politik duke e mbrojtur edhe në ditët e vështira kur konsiderohej si organizatë terroriste në Uashington. I dërguari i SHBA për Ballkanin në atë kohë, Robert Gelbard në një takim me Demaçin e kishte cilësuar UÇK "terroriste", ashtu siç shihej në atë periudhë në gjithë Departamentin e Shtetit. “Liri”, i ishte përgjigjur Demaçi duke u larguar më pas nga takimi.

Më vonën në një intervistë dhënë për New York Times refuzoi të dënojë përdorimin e dhunës nga UÇK.

“Rruga paqësore nuk na ka çuar gjëkundi. Njerëzit që jetojnë përditë nën atë represion kanë të drejtën që të ngrihen dhe të rezistojnë”, deklaronte ai.

Edhe për shkak të këmbënguljes së Adem Demaçit, një pjesë e mediave perëndimore nisën që të vënë në dyshim nëse UÇK ishte një organizatë terroriste apo një grup luftëtarësh për lirinë. Mes tyre ishte edhe BBC.

Këmbëngulte për pavarësinë edhe kur përballë kishte serbët. “I nderuar koleg, në politikë kurrë mos thuaj kurrë”, i drejtohej po në këtë vit Vuk Drashkoviçit, në atë kohë drejtues i opozitës serbe dhe pjesëmarrës në një panel ku diskutohej pavarësia e mundshme e Kosovës.

Ishte një njeri që nuk bënte kompromis me parimet e tij. Pikërisht këto parime e larguan edhe nga UÇK në vitin 1999, kur nisën bisedimet e paqes në Rambuje. Doli kundër udhëheqësve të tjerë të UÇK-së, përfshirë edhe Hashim Thaçit dhe u dorëhoq nga detyra që mbante duke cituar mungesën e garancisë se në fund të bisedimeve Kosova do të ishte e pavarur.

I ashpër ishte edhe me Ibrahim Rugovën dhe LDK-në. “Çfarë është LDK-ja? Është Lidhja Komuniste e Kosovës”, deklaronte ai. Rugovës ia njihte kontributet në shndërrimin e çështjes së Kosovës në krye të agjendave të fuqive të mëdha, por e qortonte ashpër në një pikë.

Ibrahim Rugova dhe Adem Demaçi gjatë një tryeze të përbashkët në vitet '90

“Rugova ndoqi rrugën e lirisë deri kur ajo nuk ishte fort e vështirë. Kur ajo u vështirësua e braktisi këtë rrugë dhe u largua, duke humbur një moment historik të vendit”, shprehej Demaçi, duke iu referuar faktit që Rugova u largua nga Kosova kur plasi lufta.

Vetë qëndroi në Prishtinë gjatë gjithë kohës. U arrestua disa herë nga forcat serbe dhe po aq herë u lirua. Në vitet pas luftës drejtoi Radio-Televizionin e Kosovës, deri në 2004.

Nuk ishte anëtar në asnjë forcë politike, por ishte aktiv sipas mënyrës së tij. I afërt ishte më së shumti me Albin Kurtin dhe Lëvizjen Vetëvendosje, që në atë kohë nuk ishte shndërruar “zyrtarisht” në parti politike. Por, edhe kjo afërsi nuk e shpëtoi Kurtin nga kritikat e Demaçit.

“Nuk më pëlqejnë disa veprime destabilizuese që bën”, shprehej ai.

Për Thaçin kishte konsideratat më pozitive, megjithëse edhe me të ishte i pakënaqur. “Hashim Thaçi ka bërë gabimet e tij, por ne nuk kemi tjetër më të mirë se Hashim Thaçi”, deklaronte në një intervistë për RTK disa vite më parë.

Kishte mendim edhe për Bexhet Pacollin. “Si tregtar është i mirë. Është i mirë për të bërë lekë, por bëri gabim që iu fut politikës”, shprehej ai.

Ramush Haradinajn shigjetonte më tepër dhe shpërtheu sidomos pasi ai u bë Kryeministër. “Hajd mund të bëhet zv.Kryeministër, po Kryeministër s’duhej”, deklaronte Demaçi, por pa i mohuar meritat si ato të “Rambo”-s në luftën për liri e pavarësi.

Demaçi u quajt prej shumëkujt "Mandela i Ballkanit", për vetë vuajtjet e hequra mbi kurriz dhe bindjen e pandryshueshme për pavarësi të Kosovës. Por ai vetë nuk para i pëlqente epitete të tilla. Ndoshta u largua i qetë pasi e pa vendin e tij të pavarur. Ndoshta kishte ende brenga kur shihte sfidat për formim dhe mirëqënie të shtetit të Kosovës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë