Në një deklaratë për mediat, kryeministri Edi Rama ka kritikuar ashpër vendimin e opozitës për djegien e mandateve parlamentare, duke e konsideruar si një akt të panjohur dhe të padëgjuar më parë nga historia.
Kryeministri e ka cilësuar këtë të sotmen si një ditë të keqe për kombin, një vendim që sipas tij mund të rezultojë fatale edhe për çeljen e negociatave me BE.
“Po synojnë përçarjen e zgjedhjeve duke nxitur urrejtjen, dhunën, rrëmujën, ndaj duhet të përpiqemi të reflektojmë sa më thellë. Duke nisur nga vetja secili, e secila prej nesh pastaj duke para rreth e rrotull, e përballë nesh që të kuptohemi sa më mirë. Opozita ka konsumuar një kat të panjohur të vendeve me zgjedhje, që nga demokracitë perëndimore, deri te regjimet hibride”, tha Rama.
Sipas tij ky është “një akt i paparë por jo krejt i pashpjegueshëm për ne këtu në Shqipëri”.
“Jam zgjedhur kryeministër dy herë, herën e parë pas një koalicioni pas 8 viteve në opozitës, Herën e dytë në një palë zgjedhje në një qeveri të përbashkët me opozitën, ku i dhamë të gjithë portofolet që kërkoi. Plus kryetarin e KQZ dhe gjithçka tjetër kërkuan. Kishim një synim të vetëm, moskontestimi i rezultateve të zgjedhjeve nga humbësi dhe mospërbaltja e Shqipërisë. Herën e parë zgjedhjet nuk u kontestuan, faji iu la popullit që iu dha 1 milion shupalaka. Herën e dytë zgjedhjet u kontestuan por paqja zgjati sa ëndrra e një nate vere pasi në vjeshtë filloi avazi i përbaltjes së Shqipërisë që sot ka arritur një kulm të ri”, theksoi shefi i qeverisë.
Ai pranoi se ka bërë gabime dhe theksoi se ka ditur të tërhiqet e të kërkojë falje. Rama shtoi se nuk ka ndër mend ta lërë përgjysmë punën që ka nisur për të ndërtuar një Shqipëri që duhet të shkojë drejt Europës.
“Nuk jam as i rënë nga qielli e as i pagabueshëm, kam bërë gabime, por kam ditur edhe të tërhiqem edhe të them më falni edhe më shumë se një herë. Është opozita ajo që ende nuk ka reflektuar kur humbi zgjedhjet. Jam tërhequr dhe kur replikat e mia në rrjetet sociale lexohen si arrogancë e si tallje, s’është e vërtetë asnjë, – shpjegoi Rama. – Sulmohem përditë e për natë, nga llo lloj njerëzish në kanale e portale. Kam hyrë në një borxh me familjen, me gruan, fëmijët e nënën, që mbajnë baltën e stresin. E kam pranuar si haraçin e madh të privilegjit të jashtëzakonshëm që shumica më ka bërë të drejtoj punët e atdheut tim. Por kurrë s’e kam menduar dhe ngritur qoftë dhe gishtin e vogël të pushtetit, duke më baltosur si kriminel, e trafikant droge, si mohues i fëmijës tim, që as ndër mend s’i kam çuar kurrë e jo më t’i kem bërë. Ndonjëherë edhe e kam humbur sensin e masës, por kurrë s’do gjeni në asnjë arkiv, që Saliut t’i kem thënë kriminel, Lulit, kusar, Metës hajdut, Monës hajdute me çizme…”.
Rama nënvizoi se Shqipëria që ai do e për të cilin ka marrë besimin, “nuk është kjo që kemi, sepse unë s’do isha duke bërë këtë detyrë. Kjo Shqipëri nuk është ajo që kishim para 5 vjetësh, por ajo nuk krahasohet me atë që kishim në asnjë fushë. Por ata nuk kanë nga pas popullin, por hijen e frikës nga drejtësia e re. Kjo e sotmja është ditë e keqe për demokracinë, është e dëmshme sa të duash, është fatkeqësia e përsëritur e këtij vendi që goditet nga bijtë e tij, kjo është një goditje që mund të rezultojë edhe fatale për çeljen e negociatave nga BE këtë vit”.
Kreu i qeverisë shtoi se e gjithë kjo situatë, vjen sepse opozita e ka të sigurt humbjen në zgjedhjet e ardhshme lokale. Rama pohoi se për shitblerjen e votave të gjithë duhet të flasin, përveç “të dërguarës nga Zoti”, duke cituar Monika Kryemadhin. “Prandaj ne jemi gati të rëndojmë dënimin me ligj për shitblerjen e votës”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




