Lajme

Mandatet e djegura, ambasadori britanik takohet me Bashën

Ndërkombëtarët janë vënë në lëvizje menjëherë pas vendimit të opozitës shqiptare për djegien e mandateve të deputetëve, duke u shprehur kundër kësaj lëvizjeje.

Pasditen e sotme, ambasadori i Britanisë së Madhe, Duncan Norman ka shkuar në zyrën e Lulzim Bashës ku temë e bisedës ka qenë pikërisht kjo çështje.

Takimi vjen një ditë pas vendimit të opozitës për të djegur mandatet e deputetëve në shenjë proteste ndaj qeverisë së Edi Ramës.

Ditën e protestës, në 16 shkurt, ambasadori britanik bëri thirrje që tubimi të jetë paqësor dhe të shmangen aktet e dhunës. Edhe gjatë ditës së hënë pati disa reagime nga zyrtarë të lartë të Bashkimit Europian.

Në fakt, Norman është diplomati i parë deri tani që është takuar me Bashën në zyrën e këtij të fundit, teksa më herët ambasada amerikanë në Tiranë ka fshikulluar opozitën, ku përmes një deklarate e ka cilësuar të gabuar djegien e mandateve parlamentare.

Në fakt, lëvizjet e para nisën që dje, por jo në krahun opozitar. Teksa Lulzim Basha me aleatët e tij  konfirmuan se do të bëhen bashkë me popullin kundër Edi Ramës deri në largimin e tij dhe konfigurimin e një qeverie tranzitore, dy përfaqësuesit e ndërkombëtarëve, ambasadori i BE-së Luigi Soreca dhe zv/ambasadorja amerikane Leyla Moses-Ones kanë shkuar në Kryeministri për të diskutuar me Ramën. Një takim I ngjashëm që duhej të ishte zhvilluar edhe me Bashën, por që deri më tani nuk ka ndodhur.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë