Lulzim Basha nuk tërhiqet nga vendimi për djegien e mandateve edhe përballë deklaratave të ndërkombëtarëve.
Pas mbledhjes së Kryesisë së PD-së, kryedemokrati tha se djegia e mandateve bëhet për të shembur atë që ai e quan qeveri të krimit.
Duke sjellë në vëmendje një deklaratë të ish-Presidentit amerikan Linkoln, Basha tha se pas kësaj “dielli do të rilindë sërish”.
“Djegia e mandateve nuk është qëllim në vetvete. Djegia e mandateve është alternativa e fundit që i është lënë opozitës që të arrijë një qëllim madhor. Të shembë një qeveri të krimit, për krimin e nga krimi dhe t’i japim shqiptarëve një qeveri të njerëzve, për njerëzit dhe nga njerëzit”, tha Basha.
Ai i ka dhënë përgjigje edhe reagimit të ambasadës SHBA, ku kjo e fundit deklaroi më herët se largimi nga kuvendi minon parimet bazë të demokracisë.
“Nuk komentoj kurrë asnjë deklaratë të përfaqësive të huaja në Tiranë, por dua t’ua them qartë dhe shkoqur, se për mua dhe PD nuk ka frymëzim më të madh se SHBA dhe demokracia amerikane. Në veçanti, veçoj Presidentin Lincoln dhe dua ta citoj: Se ky komb nën zot do ketë lindje të re, qeverisja e njerëzve nga njerëzit për njerëzit nuk do të zhduket nga ky dhe”, u shpreh kryedemokrati.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




