Futboll

Mançester Siti nesër në Tiranë, 700.000 stërlina për kurrikulën e kampionëve të Europës!

Gazeta Si – Nga e enjtja fillon zyrtarisht projekti i bujshëm për futbollin shqiptar: shkolla e trajnimit të një prej klubeve më të mëdha të momentit, Mançester Siti, do të zbresë në Shqipëri.

Nga nesër, në ambientet e Shtëpisë së Futbollit do të çelet projekti i mësimdhënies dhe trajnimit të trajnerëve të akademive të zonës së Tiranës dhe Durrësit për fëmijët nga mosha 7 deri në 15 vjeç. Trajnerët shqiptarë do të prezantohen me filozofinë dhe praktikat e trajnimit të MCFC dhe do të mësojnë më shumë për shkollën e futbollit, që do të zhvillohet në Durrës.

Trajnimi teorik do të vijojë me një seancë demostrative në fushën e lojës. Gazeta Si ka mësuar se kompania nga Dubai që do të zhvillojë projektin ‘Durrës Yacht&Marina’, në kontratën e saj të zhvillimit të projektit, ka pasur një klauzolë për kontribut në zhvillimin social, kulturor dhe sportiv të shqoqërisë.

Si rrjedhojë, firma “Eagles Hills”, pjesë e konsorciumit, ka paguar 700.000 stërlina për patentën e shkollës së futbollit të Mançester Sitit, ose kurrikulën e shkollës së futbollit më të avancuar në botë.

Çfarë është “Dyrrah City Football Academy”?
Është një organizatë jo-fitimprurëse (OJF) e themeluar nga Ministria e Arsimit dhe Sporteve,që në bashkëpunim me ‘Manchester City Football Club’ është përkushtuar për zhvillimin dhe promovimin e futbollit për të rinjtë nëpërmjet ngritjes së akademisë së futbollit në qytetin e Durrësit.

“Dyrrah City Football Academy” do të ndërtojë qëndrën më të madhe dhe më moderne stërvitore në vënd dhe më gjerë. Vizioni nuk është vetëm të promovojmë talente të reja, por edhe të frymëzojmë vlera përmes lojës së bukur të futbollit, nëpëmjet mbështetjes të shkollës së Mançester Sitit.

Për zhvillimin e projektit u është shtrirë dora e bashkëpunimit 10 klubeve të Superiores, që të investojnë në 70.000 metrat katrorë që qeveria shqiptare ka vendosur në dispozicion të projektit për akademinë e futbollit dhe fushat sportive në afërsi të qytetit të Durrësit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë