Shendet

Manastirliu: Sputnik V do të përdoret për 80+, synojmë deri në 15 mijë vaksinime në ditë

Kryeministri Edi Rama me Ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu kanë ndjekur nga afër procesin e vaksinimit e pedagogëve të parë në Tiranë, në ambientet e Universitetit Politeknik.
Ministrja Manastirliu u shpreh se në tërësi janë vaksinuar mbi 12 mijë mësues, ndërkaq shtoi se vaksinat Sputnik V të ardhura dje do të përdoren për të moshuarit 80+.
“Me dozat që erdhën dje do të vijojmë vaksinimin e të moshuarve 80+, duke ndjekur planin e vaksinimit. Në tërësi bashkë me dozat e ardhura dje, kemi 90 mijë doza vaksine në total. Ndërkohë që presim që të na vijnë doza të tjera nga Pfizer në ditët e para të prillit. Gjithashtu presim nga Covax edhe një sasi tjetër të AstraZeneca, deri tani kemi një të dhënë për 60 mijë deri në 80 mijë vaksina të AstraZeneca. Dhe po konkludojmë negociatat që kemi hapur për sa i përket edhe fillimit të vaksinimit masiv”, tha Manastirliu.

Ndërkaq në Kuvend Ministrja Manastirliu foli për aktin normativ që zgjeron mundësinë për negociata të qeverisë shqiptare me kompani prodhuese të vaksinave të certifikuara, për të marrë më shumë vaksina e  për të nisur vaksinimin masim të popullatës.

“Akti normativ që ne miratojmë sot, i ka hapur rrugë negociatave me kompani prodhuese, me distrubutorë të autorizuar të vendeve të cilët kanë certifikimet e duhura, në mënyrë që ne të kemi disponibilitet në vaksina dhe të vijojmë me planin tonë të vaksinimit dhe me intensifikimin e tij, për të arritur tek vaksinimi masiv, i cili është objektivi ynë kryesor, në mënyrë që gjatë muajve të verës të kemi një lloj lehtësie. Jemi duke punuar në mënyrë që edhe kapacitetet tona t’i kemi të përgatitura, që të kemi mundësi të aplikojmë nga 10 deri 15 mijë vaksinime në ditë, në mënyrë që të kemi mundësi të vaksinojmë shpejt popullatën”, tha Manastirliu.

Që prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 48,215 doza të vaksinës, prej 27,872 vaksinime për personelin shëndetësor dhe stafet mbështetëse, 7,932 vaksinime për të moshuarit dhe 12,411 vaksinime për arsimtarët.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë