Vrasja e 14-vjeçarit në Pirg të trondit. Por ajo që ka lënë edhe më shumë plagë është ajo që ndodhi pas krimit: heshtja, fshehja, mbrojtja. Familjarë të autorit ndihmuan për të zhdukur armën e krimit, të mitur të tjerë nuk folën, një i rritur që ndodhej aty zgjodhi të mos kallëzojë. Dhe kështu, një jetë u humb, dhe e vërteta, për pak, mund të ishte varrosur bashkë me të.
Çdo qytetar, si njeri, si prind, është në të të drejtën e tij të ketë mllef, ndoshta dhe urrejtje deri diku. Duhet të jën me mijëra shqiptarë që po e ndiejnë këtë zemërim, këtë neveri ndaj një familjeje që, në vend që të kërkonte falje e të ndihmonte drejtësinë, zgjodhi të fshehë, të mbrojë, të heshtë.
Por ky mllef, nëse nuk e kontrollojmë, mund të na çojë në të njëjtin vend ku çoi edhe krimin: tek logjika e hakmarrjes kolektive, tek turmat që kërkojnë gjak, tek urrejtja që shurdhon arsyen. Dhe atëherë, çfarë ndryshimi do të kishim ne nga ai që vrau?
Nëse sot i drejtohemi një fisi të tërë me urrejtje, vetëm pse një pjesëtar i tij ka kryer një krim, atëherë nuk jemi më qytetarë — jemi pjesë e së njëjtës spirale që ka mbajtur peng këtë shoqëri për dekada. Spiralja ku fajin nuk e ka njeriu, por mbiemri. Ku nuk ka drejtësi, por vetëm hakmarrje.
Ne nuk mund ta lejojmë veten të kthehemi në kafshëri, sepse jemi të tronditur.
Po, kemi të drejtë të jemi të revoltuar me babain që fshehu thikën, me xhaxhain që ndihmoi, me të rriturit që nuk folën. Por le të jemi të saktë dhe të drejtë në zemërimin tonë: mllefi ynë duhet të godasë veprimin. Duhet të kërkojë drejtësi, jo hakmarrje. Sepse në të kundërt, bëhemi pjesë e së njëjtës marrëzi që vret në emër të nderit, në emër të familjes, në emër të “forcës”.
E vërteta është e thjeshtë: nëse nuk dimë ta përballojmë dhimbjen tonë me drejtësi, atëherë nuk jemi më shoqëri. Jemi një grumbull njerëzish që vrasin njëri-tjetrin me thika, e më pas heshtin. Ashtu si ndodhi në Pirg.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



