Ka ndodhur

Mali i Çikës ende në flakë, pas avionëve grekë pritet ndërhyrja e zjarrfikësve dhe ushtrisë

Gazeta Si – Në ditën e pestë radhazi, me gjithë ndërhyrjen e dy avionëve të ardhur nga Greqia, vijon beteja me zjarrin në malin e Çikës në Vlorë.

Dy avionët “Canadair” të ardhur nga Selaniku, megjithëse kanë punuar mbrëmjen e të enjtes prej disa orësh nuk ia kanë dalë të shuajnë flakët.

Mëngjesin e kësaj të premteje po ndërhyjnë forcat e zjarrfikëse dhe ushtarët për të siguruar edhe terrenin.

Ndërkohë, nga prefekti i qarkut të Vlorës, Flamur Mamaj, bëhet me dije se do të ketë ndërhyrje edhe sot nga avionët grek për shuarjen e flakëve.

Flakët po avancojnë në drejtimin e Dhërmiut dhe Himarës, por rreziku mbetet ende larg.

Ushtarët e Forcave të Armatosura janë larguar nga terreni, pasi përplasja e ujit që hidhet nga lart bën që shkëmbi i nxehur nga temperaturat e zjarrit të krijojë çarje (shpërthim), duke shkaktuar rrezik për ta.

Ndërkohë, që në pjesën jugore të malit të Çikës, janë djegur rreth 80 hektarë pyje me bredha dhe shkurre në një vijë 500 metra nga zona mbi fshatin Palasë në afërsi të majës së malit.

Megjithatë, sipas autoriteteve lokale, situata paraqitet më e përmirësuar pas  ndërhyrjes së avionëve grekë.

Tymi i zjarrit në malin e Çikës u përhap fshatin bregdetar të Dhërmiut, duke krijuar probleme për pushuesit. Disa prej tyre mësohet se janë larguar mbrëmjen e së mërkurës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë