Nga Gazeta Si- Megjithëse Italia është një vend që Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka shpallur pa malarie që nga vitet 1970, dje (e premte), një rast indigjen i infeksionit u raportua në Verona.
Kjo u bë e ditur nga Drejtoria e Parandalimit të Rajonit Veneto e cila në bashkëpunim me Institutin Zooprofilaktik Eksperimental të Venezie, sapo ka marrë njoftimin për rastin, ka aktivizuar menjëherë masat e planifikuara të vëzhgimit.
Ky është një hetim i thelluar epidemiologjik për rastin specifik të Plasmodium vivax; të një vrojtimi në terren me kapjen dhe analizën e vektorëve lokalë; të inicojë masat e mbikëqyrjes shëndetësore që synojnë subjektet e tjera në vendet e ekspozimit të mundshëm dhe aktivitetet parandaluese të dezinfektimit në zonë që do të kryhen në bazë të rezultateve të kontrolleve të kryera.
“Një rast i malaries vendase është diagnostikuar nga Spitali i Veronës në një person pa histori të udhëtimeve të fundit në vendet ku sëmundja është endemike”, shkruan Drejtoria e Parandalimit të Rajonit Veneto.
ISHP: Shqipëria e rriskuar nga malarja
Të pyetur nga Gazetasi.al, ekspertë të shëndetit publik thonë se Shqipëria tashmë ka konfirmuar rikthimin e malarjes në vend, por rastet e infektimit kanë pasur shkak infektimin në vendet endemike.
Situata në Itali për infektim brenda vendit, e bën situatën alarmante, pasi konfirmon prezencën e mushkonjave të infektuara me parazitin Plasmodium.
"Ndryshimet klimatike, por dhe prania e mushkonjës “anofele” në vendin tonë që transmeton malarien, shton rrezikun për përhapjen e kësaj sëmundjeje", thonë ekspertët.
Sipas epidemiologut të njohur, doktor Ilir Alimehmeti, edhe lëvizjet e emigrantëve nga shtetet ku është e pranishme sëmundja, shtojnë rriskun e shtimit të rasteve të importuara me malarje.
Doktor Alimehmeti shpjegon se është e rëndësishme të dihet se malaria nuk transmetohet nga personi në person përmes kontaktit të drejtpërdrejtë, pështymës ose marrëdhënieve seksuale, por ekskluzivisht përmes kontaktit me gjak të infektuar ose pickimin e mushkonjave të infektuara.
" Malaria është një sëmundje infektive që transmetohet te njerëzit përmes pickimit të mushkonjave të infektuara me një parazit (Plasmodium).
Sëmundja manifestohet me ethe, të dridhura intensive, djersitje, dhimbje koke, nauze, të vjella, dhimbje muskulore. Malaria është një sëmundje e trajtueshme dhe mund të trajtohet në mënyrë efektive nëse diagnostikohet dhe trajtohet menjëherë, duke reduktuar kështu rrezikun e komplikimeve serioze", thotë doktor Ilir Alimehmeti.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.