Bota

Makina u përplas me turmën në Beograd, studentët protestë masive kundër Vuçiç (foto, video)

Nga Gazeta ‘Si’- Në shumë qytete të Serbisë kanë shpërthyer protesta të reja pas tentativës për plagosjen e një studenteje 20-vjeçare në Beograd.

Një makinë u përplas me një turmë të mbledhur në Beograd dhe goditi një studente për të cilën thuhet se është në gjendje të stabilizuar shëndetësore.

Policia serbe ka identifikuar dhe ka gjetur shoferin me inicialet M. P. 38 vjeç, i cili siç dyshohet ka goditur me makinë vajzën 20- vjeçare dhe më pas është larguar me shpejtësi. Dyshohet se në automjet ndodheshin edhe dy persona të tjerë. Pamjet shqetësuese të regjistruara nga dëshmitarët okularë, tregojnë se shoferi ka goditur studenten, e cila përfundoi në çatinë e makinës.

Protestat më pas kanë shpërthyer në Kralevë, Novi Sad, Zrenjanin, Nish dhe Kragujevc. Ndërkohë, u organizuan edhe studentët në Novi Sad, duke bllokuar për disa orë kryqëzimin pranë Futoshka Pijaca.

Stradner: Vuçiç mund të përshkallëzojë situatën

Studiuesja në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive, Ivana Stradner ka thënë se presidenti serb, Aleksandër Vuciç mund të përshkallëzojë situatën në rajon për të shpërqendruar Perëndimin nga problemet e brendshme të Serbisë.

Stradner këto deklarata i ka bërë në një reagim në “X”, ku ka shpërndarë intervistën kërcënuese të udhëheqësit të grupit të njohur rus të motoçiklistëve “Ujqit e natës”, Alexander Zaldostanov.

“Ndërsa Vuçiç ka një problem serioz me protestat masive në Serbi, ai do të përshkallëzojë përsëri situatën në Kosovë dhe Bosnje për të shpërqendruar Perëndimin. Udhëheqësi i  të Natës Alexander Zaldostanov thotë se Rusia do ta ndihmojë Serbinë. Rusia nuk mund ta ndihmojë veten e lëre më Serbinë…”, ka shkruar ajo në reagimin e saj ndaj deklaratave të Zaldostanov.

Udhëheqësi i grupit “Ujqit e natës” ka kërcënuar se gjithmonë do të ndjekin rrugën e sundimtarit mesjetar serb, Car Llazar, i cili pretendonte të ringjallte Perandorinë Serbe.

“Jo vetëm për vitin 2025, por gjithmonë, planet janë të njëjta, të ndjekim rrugën e sundimtarit serb Car Llazar. Për të ndjekur Car Llazarin. Ky është masterplani. Është më mirë të vdesësh me kryq se sa të fitosh me antikrishtin. Ky është plani i vetëm për të ardhmen e ‘Ujqërve të Natës’, së bashku me popullin serb, me komunitetin tonë”, ka thënë Zaldostanov në një intervistë për RT disa ditë më parë. 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë