Trashëgimi

Makina e shkrimit e prof. Jup Kastratit, mbartëse e vlerave të intelektualit të shquar shkodran

Në kuadër të prezantimit të trashëgimisë kulturore që ruhet nga familjet shkodrane, DRTK Shkodër prezantoi makinën e shtypshkrimit të intelektualit të shquar shkodran, por edhe të kulturës së kombit tonë, prof. Jup Kastratit.

Makina e shkrimit Olivetti, është e tipit Studio 42, e prodhuar në 1935. Në Itali ku dhe u prodhua, kjo tipologji makine ruhet në Muzeun Kombëtar të Shkencës dhe Teknologjisë “Leonardo da Vinci” në Milano, ndërsa për familjarët ajo mbart vlerën e paçmueshme të atij që e përdori aq vlefshëm për thuajse treçerek shekulli, Prof.Jup Kastratit.

Prof. Kastratit iu dhurua nga i ati i tij, Hasan Kastrati, një njeri me mendje të hapur i cili, pasi kishte parë prirjet e hershme për studim të të birit, Jupit, ia solli nga Italia, në fillim të viteve `40 të shekullit të kaluar.

Prof. Jup Kastrati, asokohe një i ri adoleshent (datëlindja 1924), fillon ta përdorë duke shtypur edhe artikujt e parë që do ta lançonin për pak vjet në shtypin e kohës me artikujt të karakterit studimor si “Dramatika shqipe”, e mandej me përkthimin e “Fabulave” të Fedrit e për 63 vjet radhazi nuk reshti asnjëherë. Kjo makinë u bë dëshmitarja e vetme e punës gjigande të Profesor Jupit. Janë mbi 40 vepra që mbajnë autorësinë e tij, e me qindra artikuj studimorë e publicistikë e, kjo makinë ishte mjeti më i dashur i tij deri në mbylljen e syve në shtator të 2003. Ai nuk e braktisi asnjëherë Olivetti-n e tij, as atëherë kur kompjuterat kishin filluar të futeshin në jetën e secilit shqiptar.

Që nga 2003, qëndron e futur në rulin e makinës, letra e bardhë që Profesori la për të punuar, por që nuk arriti të shtypë më pas sëmundjes në vitin e fundit të jetës. Makina e shkrimit Olivetti, ruhet nga familja e Profesorit, krahas skrivanisë prej xhami që i përket të njëjtës periudhë të fillim shekullit. /ata


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë