Lojërat Olimpike Europiane “Minsk 2019” nuk kanë nisur në mënyrën më të mirë të mundshme për ekipin përfaqësues shqiptar. Sportistët kuqezinj nuk kanë dhënë rezultatet e pritshme, por ka edhe një motiv për t’u krenuar, pasi është sërish Mejlinda Kelmendi, e cila vijon ta mbajë në nivelet më të larta flamurin e Kosovës në sportin e xhudos.
Sportistja kosovare, kampione absolute në xhudo për peshën e saj arriti të merrte medaljen e artë edhe në Bjellorusi. Kelmendi garon në peshën 52 kg dhe rivaliteti ishte shumë i madh, që nuk e stepi, por bëri që ta arrinte fitoren shumë më lehtë. Kelmendi i fitoi të katërta sfidat e saj, duke konfirmuar edhe një herë tjetër bindshëm se ajo është mbretëresha e këtij sporti.

Në raundin e parë, Kelmendi mundi zviceranen Fabienne Kocher dhe më pas polaken Karolina Peenkovska. Në gjysmëfinale, sportistja kosovare fitoi ndaj francezes Amandine Bushard, ndërsa në finale Kelmendi triumfoi ndaj ruses Natalia Kuziutina. Me këtë të fundit ndeshja ishte pak më e fortë, por më shumë edhe e fryrë mediatikisht, pasi xhudistja ruse njihet si një praktikante e vetë presidentit, Vladimir Putin. Por edhe ky presion i madh mediatik nuk ndikoi në tapet, aty ku kosovarja kampione ruajti pathyeshmërinë e saj.
“Sigurisht që ndihem shumë e lumtur. Është hera e parë për mua që marr pjesë në Lojërat Europiane, që në sportin tonë janë të njëjta me kampionatin europian, arsye për të cilën marrim dy medalje në një ditë. Realisht ishte një ditë e vështirë dhe e gjatë, me mjaft stres, duke pasur parasysh se dy vitet e fundit nuk mora pjesë në kampionate, për arsye të lëndimeve. Sot isha mjaft e motivuar dhe besoj se gara shkoi shumë mirë. Finalja shkoi ashtu siç dëshirova. Rusja është shumë e fortë fizikisht, por në fund bëra gjuajtjen e hodha dhe thjesht ndjeva atmosferën e mirë që ishte aty. Jo shpesh kemi mundësi të shohim shqiptarët të na përkrahin në kësi nivele kështu që i falënderoj”, ka thënë xhudistja Kelmendi për mediet kosovare pas këtij triumfi historik.

Ndërkohë nuk ka qenë në nivelin e pritshëm paraqitja e xhudistit shqiptar, Indrit Cullhaj. Në garën e vlefshme për peshën 66 kg sportisti Indrit Çullhaj është mundur me “ippon” që në duelin e parë nga slloveni Adrian Gomboc, duke u eliminuar që në start. Edhe në disiplinat e tjera, sportistët shqiptarë nuk kanë arritur të shkëlqejnë. Në qitje të parët që garuan për Shqipërinë ishin Manuela Delilaj dhe Henri Rrufa, në garën 10 m pistoletë ajër, ekipore miks. Dyshja kuqezi u klasifikua në vendin e fundit, duke grumbulluar 554 pikë, duke u eliminuar që në start. Në boks, Arjon Kajoshi garoi në peshën 75kg. Shkodrani është mundur që në duelin e parë me rezultatin 4-1 nga bjellorusi Vadzim Pankou.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



