Sport

Majkëll Xhordan mbush 60 vjeç, miti i basketbollit dhuron 10 mln dollarë për bamirësi

Gazeta Si – Edhe legjendat plaken, por Majkëll Xhordan nuk tregon asnjë shenjë të kësaj natyre. Ish-baskebollisti amerikan, i konsideruar më i miri i të gjitha kohërave, mbush sot 60 vjeç. Ka shenjuar jo vetëm epokën kur luante, por arriti të bënte NBA-në një sport global. Për të flitet edhe sot, falë filmit dokumentar ‘The Laste Dance”.

Për 60-vjetorin e lindjes Xhordan do të marrë shumë dhurata, por edhe ai vetë ka vendosur të dhurojë 10 milionë dollarë për bamirësi. Lajmi është bërë i ditur nga organizata ndërkombëtare jofitimprurëse ‘Make a Wish’. Bëhet fjalë për donacionin më të madh që kjo organizatë ka marrë nga një individ që kur është krijuar.

Majkell Xhordan gjate nje aktiviteti. Gazeta Si, 17 shkurt 2023

Kampioni amerikan ka shpjeguar se nëpërmjet gjestit të tij shpreson të frymëzojë të tjerë persona për të dhuruar. Xhordan e ka për zemër misionin e organizatës, që ndihmon fëmijët adoleshentë, të cilët vuajnë nga sëmundje të rënda.

“Në 34 vitet e fundit ka qenë një nder të bashkëpunojë me ‘Make a Wish’, të ndihmoja për të sjellë një buzëqeshje për kaq shumë fëmijë, – ka thënë ish-basketbollisti. – T’i ndihmosh në një moment të vështirë të jetës është vërtet një frymëzim. Nuk e mendoj një dhuratë ditëlindje më të mirë se kjo, t’i shoh të tjerët të bashkohen në mbështetje të kësaj organizate. Kështu çdo fëmijë mund të përjetojë magjinë e të parit t’i realizohet ëndrra e tij”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë