Kreu i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, në një deklaratë për mediat ftoi edhe njëherë opozitën të reflektojë për ligjin e Magjistraturës, për të cilin nevojiten 84 vota për miratim. Manja tha se opozita nuk e kupton si duhet Vettingun dhe reformën në drejtësi.
“Projektligji për magjistratët është votuar njëherë me 84 vota në mandatin e kaluar dhe aktualisht duke qenë se dy organet reja të drejtësisë nuk janë krijuar ende për të bërë emërimin e magjistratëve të ri, propozimi ynë synon që këtë ta bëjë direkt ligji në një dispozitë transitore”, u shpreh Manja.
Gjithashtu, Manja u shpreh se nuk ka kolaps në sistemin e drejtësisë, por një kolapsim të opozitës.
“Nuk na pengon ta shohim njëri-tjetrin në sy në sallën e Parlamentit dhe të komunikojmë drejtpërsëdrejti me opinionin publik për të thënë disa të vërteta për reformën në drejtësi dhe zbatimin e saj se kam përshtypjen se procesi i reformës në drejtësi nuk është kuptuar sa dhe si duhet nga opozita. Teoria e kolapsimit të reformës në sistemin e drejtësisë nuk është teori juridike. Unë gjykoj dhe me aq informacion sa kam unë nuk jemi në rastin e kolapsit të reformës në drejtësi, por kolapsim të opozitës”, tha ndër të tjera Manja.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




