Gazeta Si - Mafia shqiptare në Ekuador vepron në mënyrë shumë hermetike, sa që autoritetet policore e kanë të pamundur të penetrojnë në radhët e tyre.
Drejtori i ri i Policisë Kundër Narkotikëve dhe ish-drejtori i SNAI-t, Pablo Ramírez, thotë për mediat ekuadoriane se anëtarët e këtyre bandave janë të gjithë me kombësi shqiptare.
Një “skemë”, që sipas tij ia ka vështirësuar hetimet agjencisë kundër Narkotikëve për t’i zbuluar në luftën kundër trafikut të drogës.
“Që nga viti 2017, kemi filluar të shohim jo vetëm vdekje të dhunshme, por edhe tentativa për vdekje të dhunshme të personave me kombësi shqiptare, - pohon Pablo Ramirez. - Nëpërmjet hetimeve, kemi konstatuar se janë inkorporuar në vendin tonë kjo kategori personash që vijnë nga jashtë me origjinë nga Europa, që kryejnë akte të paligjshme dhe që tentojnë të marrin portet dhe të shfrytëzojnë mundësinë për të kontrabanduar anijet, kontejnerët, por edhe aeroportet”.
Martrinez shton se grupet shqiptare operojnë me forcat e tyre, pa pranuar bashkëpunimin e organizatave të tjera lokale.
“Ata janë aq të mbyllur, sa nuk pranojnë as njerëz me kombësi ekuadoriane, kolumbiane apo meksikane, - vijoi zyrtari ekuadorian. - Përkundrazi, janë të të njëjtit nacionalitet që kryejnë të gjitha funksionet që ka një organizatë kriminale. Janë aq të mbyllur, saqë edhe për shkak të gjuhës nuk na lejon t'i zbulojmë ashtu siç duhet gjatë hetimeve”.
Megjithatë, drejtori i Policisë Kundër Narkotikëve shton se “ka hetime të rëndësishme që do të përfundojnë në javët dhe muajt e ardhshëm”.
Në lidhje me dyshimet nëse mafia shqiptare punon me kartele ndërkombëtare si Sinaloa, Jalisco apo Nueva Generation, Martizen thekson: “Është një hipotezë që po trajtohet. Në çdo rast, nëpërmjet hetimeve të ndryshme në zbërthimin e strukturave, ku ka ndikim të grupeve shqiptare, do të na lejojë që dyshimet që kemi t'i konfirmojmë".
Strategjitë që përdorin grupet shqiptare për trafikun e koainës janë përqendruar në qytetet-port, siç është ai i Guajakilit.
Por në luftën për kontrollin e territorit të drogës ka pasur edhe viktima shqiptare. I fundit ka qenë rasti i Ergys Dashi, i cili u vra më 22 janar në një restorant në Guajaili.
Ai konsiderohej si një nga krerët e një bande droge dhe për këtë arsye u burgos në Itali mes viteve 2014 dhe 2017.
Ndërkohë, sipas statistikave, deri më tani këtë vit, në Ekuador janë kapur 158 tonë drogë, që tashmë paraqet një rritje krahasuar me atë që u kap në vitin 2021 dhe 2020.
Në fakt, sipas një raporti të Kombeve të Bashkuara (OKB), vendi amerikanolatin është i treti në kapjen e sasisë së kokainës pas Kolumbisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.