Gazeta Si – Në një periudhë emergjence shëndetësore, në zyrën përgjegjëse për zgjedhjen e mjekut të familjes, qarkullonin para ryshfet.
Kamera e vendosur nga hetuesit filmon dhe pamjet janë mbresëlënëse. Kush korrupton nuk tërhiqet prapa, por zgjat menjëherë kartëmonedhat dhe zyrtarët publikë italianë i futin menjëherë në xhep.
Roli i shqiptarëve rezidentë dhe jo vetëm në këtë dosje prej qindra faqesh të Prokurorisë së Bergamos, është vendimtar.
Njëri prej tyre, biznesmeni Ndue Pulaj, kishte arritur të zbatonte “sistemin shqiptar” të ryshfetit edhe në Itali.
Sipas mediave italiane, në një prej telefonatave të përgjuara, ai thotë se pa njohje nuk mund të bëhet asgjë për të penetruar.
Si lindën hetimet
Skenat vijnë nga Milano, të xhiruara në zyrat e “Asst Fatebenefratelli-Sacco”, por nga Treviglio në fakt lindi hetimi, nga raunde të tjera parash dhe punonjës të tjerë publikë që u pasuruan, duke futur shqiptarë të paligjshëm në Itali.
Në qendër të vëmendjes (dhe në burg për rreth njëzet ditë), në mars 2021, ishte Elmonda Popa, shqiptarja bionde 38-vjeçare, e cila me trafikimin në agjencinë e saj në Treviglio për praktikat e emigracionit, kishte rrezikuar të fuste në telashe edhe kryebashkiakun Juri Imeri pak muaj para zgjedhjeve.
Ky i fundit i cituar në telefon gjatë përgjimeve dhe i çliruar nga akuzat në prokurori (pas hetimeve marsin e vitit të shkuar për favore për vota dhe korrupsion e mbështetje të emigracionit të paligjshëm).
Pikërisht nga një telefonatë e Popës, hetimet nisën jashtë provincës, mes Milanos dhe Tiranës, ku u lëshuan deri në 10 masa paraprake sigurie (të premten 10 qershor 2022) të kryera me karabinierët në Milano dhe policia shqiptare.
Shqiptarë dhe italianë, emrat dhe akuzat
Mediat italiane raportojnë se janë 6 persona, përfshirë dy mjekë nga spitali Cernusco sul Naviglio (Domenico Carriero, 65 vjeç dhe Domenico Paternicò, 53) janë në burg; 3 janë në “arrest shtëpie”, mes tyre edhe zyrtari “i pabesë” i “Asst Fatebenefratelli”, Davide Luigi Vergani, 57 vjeç.
Ndërsa për një farmacist nga Bussero është kërkuar detyrim paraqitje në prokurori.
Njëzet e tre të dyshuar akuzohen për organizatë kriminale (të kontestuar nga dy mjekët dhe promotori i dyshuar i organizatës, Ndue Pulaj, biznesmeni 55-vjeçar shqiptar banues në Bellinzago dhe 8 bashkatdhetarë të tjerë), deri te ndihma dhe nxitja e paligjshme e emigracionit, mashtrimi në dëm të sistemit kombëtar shëndetësor, korrupsion, falsifikim dhe trafiku i paligjshëm i drogës.
Shifra për të cilën gjyqtari-hetues ka urdhëruar sekuestrimin parandalues për qëllime të konfiskimit është afër 450 mijë euro.
Hetuesit kanë rindërtuar një mekanizëm, përmes të cilit shteti italian ishte bërë, nga njëra anë, një bankomat për të marrë, pa pasur kushtet, ndërhyrjet kirurgjikale falas dhe vizitat specialistike, madje duke anashkaluar listat e pafundme të pritjes falë gatishmërisë së infermierëve (në mesin e të dyshuarve).
Ekzistonte edhe mundësia që nëpërmjet farmacistëve “miqësorë”, të silleshin në Shqipëri një mori medikamentesh, gjithmonë falas, të cilat më pas rishiteshin, si “Clexane” dhe “Enoxaparin” që përdoreshin për trajtimin e Covid 19.
Nga ana tjetër, sistemi shëndetësor ishte bërë portë për emigrantët e paligjshëm që hynin për arsye mjekësore inekzistente, sipas hetimeve.
Përgjimi: Vetëm për doganën marr 600 euro
“Kalimet” ishin certifikata false që shiteshin sipas rastit 200, 350, apo edhe vetëm 50 euro, ndërsa për recetat e kuqe false, tarifa ishte 10 euro.
Vergani, i dyshuar se ishte paguar edhe me shërbime seksuale nga një i dyshuar, në vend të kësaj do të kishte dhënë hua për të regjistruar ilegalisht 82 shqiptarë në shërbimin shëndetësor Lombard.
Në total, 383 shërbime të paligjshme ambulatore dhe të paktën 1,554 vizita specialistike u llogaritën midis janarit 2020 dhe qershorit 2021.
Është fillimi i shkurtit të vitit 2021, kur Popa e përgjuar flet në telefon me Pulajn: “Vetëm që ta kaloj doganën këtu, marr 600 euro”, thotë shqiptari, i cili sipas hetuesve shpjegon gjithçka në atë bisedë: që nga fitimi i parave për turizmin shëndetësor përmes certifikatave false, përfshirë kartat e shëndetit dhe si, për arsye shëndetësore, arrinte të sillte pa leje bashkatdhetarë, të cilëve u ofroheshin “paketa udhëtimi” me tarifa të sakta.
Avokati i Popës: Është manipuluar
Popa “ishte shumë e interesuar për biznesin”, shkruhet në dosjen hetimore milaneze prej 556 faqesh.
Por pak ditë pas takimit me Pulajn, ajo përfundoi në qeli, duke i dhënë lamtumirën lejeve dhe ryshfeteve të pilotimit të marra sipas akuzës edhe nga shefi i policisë kufitare në aeroportin e Orios, Antonino Pistone.
Hetimi është ende i hapur, por avokati Antonello Notaro, mbrojtësi i Popës, tashmë po mendon se si ta mbyllë gjyqin: “Është e qartë që nuk do të ketë një pafajësi, – thotë ai, duke lënë të kuptohet se shpreson për një marrëveshje që të shmangë burgun. – Elmonda Popa sigurisht që nuk është promotore e atij sistemi, është manipuluar. Ajo bëri një gabim, por tani është një person i lirë që punon shumë dhe po bëhet më mirë”.
Mburrja e biznesmenit shqiptar
Biznesmeni shqiptar Ndue Pulaj, duke iu mburrur një gruaje për kontaktet e tij brenda spitaleve milaneze, e ka kuptuar mirë: “Këtu bëhet gjithçka me miq”.
Por ai nuk kishte marrë parasysh veeprimet e hetuesve të Bergamos, të cilët zbuluan një rreth korrupsioni mjekësh dhe infermierësh për të të marrë certifikata dhe leje nga emigrantë të tjerë shqiptarë për të aksesuar kujdesin e shtrenjtë mjekësor të paguar nga sistemi shëndetësor Lombard, pa pasur asnjë kualifikim.
Ryshfet, barna, ndeshje futbolli dhe shërbime seksuale
Një figurë thelbësore, e cila doli gjatë hetimeve, ishte ajo e Davide Luigi Verganit, një zyrtar i spitalit “Asst Fatebenefratelli-Sacco”.
Ai ishte në gjendje të prokuronte organizatën, sipas akuzave, karta shëndetësore për të aksesuar trajtime dhe barna, në këmbim të parave cash, të një bilete për të marrë pjesë në ndeshjen Milan-Verona në “San Siro” dhe, në një rast, një performancë seksuale.
Vergani ndodhet në “arrest shtëpie”, si dhe dy shqiptaret, Stela Papa dhe Vjollca Purashai.
Megjithatë, hetuesja Sara Cipolla, urdhëroi burgun për Domenico Paternò dhe Domenico Carriero, nën hetim si mjekë të spitalit Cernusco sul Naviglio (të akuzuar se kishin lëshuar vërtetime dhe receta për të mirën e të huajve) dhe për shqiptarët Ndue Pulaj, Gentian Iljazi, Evisa Sulejmani dhe Aleksandër Gjoka.
“Pakoja” e kapur nga kamerat
Burri me kartat e shëndetit, ishte Vergani, i cili kapet në përgjime ambientale në zyrën e tij teksa i merr Iljazit një tufë parash nga duart, të cilat ia fut në xhepin e majtë të pantallonave.
Në një rast Vergani vepron “vetë”, duke regjistruar disa rumunë në sistemin shëndetësor Italian.
Hetuesit kanë konstatuar tetëdhjetë regjistrime të parregullta të këtij lloji. Por rrjeti i shqiptarëve mund të besonte edhe tek infermierët, punonjësit e spitalit të Qendrës së Rezervimit të Vetëm dhe një zyrtari nga Agjencia e të Ardhurave, të cilit i kërkohet urgjentisht të gjenerojë një kod tatimor për një të sëmurë terminal.
Një nga të shumtët me probleme shëndetësore, që Iljazi e njihte, sepse ai, siç donte të thoshte për veten e tij, ishte “si Nënë Tereza”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.