Ngjarje

Mafia ballkanike / Prokuroria belge kërkon 20 vite burg për ‘Cinco’-n, bosin shqiptar të drogës

Gazeta Si – Prokuroria e Anversës ka kërkuar 20 vite burg për Ermir Ndreaj, ose siç njihet ndryshe “Cinco”, për akuzat e trafikut ndërkombëtar të drogës dhe të pastrimit të parave.

Në gjyqin që po zhvillohet prej ditësh në qytetin-port të Belgjikës, të akuzuar në mungesë janë dy prej figurave kryesore të mafies ballkanike – Sani “Shade” Al Murdaa dhe Ermir “Cinco” Ndreaj.

Autoritetet belge thonë se organizata kriminale e udhëhequr nga këta dy persona ka kontrabanduar tonelata kokainë nga Amerika Latine drejt Europës, ka operuar me laboratorë për pastrimin e drogës dhe ka përdorur kompani “fasadë” për trafikim.

Ermir “Cinco” Ndreaj, i cili dyshohet se u arrestua në fund të muajit korrik në Tiranë pas një urdhri të SPAK (nuk është konfirmuar zyrtarisht nga Prokuroria e Posaçme), po përballet me akuza të rënda deri në 20 vite burg në Belgjikë.

Sipas mediave belge, organizata e tyre kriminale ka dërguar në vend tonelata me kokainë. Për fat të keq mund të kërkoj vetëm njëzet vite burg, por për këta kriminelë do të kisha preferuar të kërkoja 100 vite” deklaroi prokurorja federale, Cappelle.

Ndërkohë, Për Sani Al Murdaa, prokuroria ka kërkuar 15 vite burg. Sani Al Murdaa, i njohur si një prej trafikantëve më të mëdhenj në Belgjikë dhe lider i rrjetit të kriminalitetit që shtrihet nga Kolumbia deri në Australi, thuhet se ka investuar milionë euro në laboratorë për pastrimin kimik të kokainës dhe ka bashkëpunuar me biznesmenë të ndërtimit për largimin e mbetjeve kimike të rrezikshme.

Ai shpesh quhet “Shade” për aftësinë e tij për t’u fshehur dhe shmangur hetimet policore.

Gjyqi “Kookwas” nuk përfshin vetëm Al Murdaan dhe Ndreajn, por edhe disa persona të tjerë të përfshirë në rrjetin, ku prokuroria po kërkon dënime për secilin sipas rolit të tij. Seanca vazhdon në ditët në vijim, me qëllim qartësimin e veprës dhe përgjegjësive të secilit të akuzuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë