Mendim

Macron pajis Serbinë me raketa, Kosova: Do armatosemi edhe ne!

“Armatosja” e Serbisë me raketa nga presidenti francez Emmanuel Macron duket se nuk është pritur mirë nga Prishtina zyrtare, e cila ka vënë në dukje të gjitha marrëveshjet e nënshkruara nga Beogradi për shtimin e arsenalit ushtarak.

Gjatë vizitës së presidentit Emmanuel Macron në Beograd, qeveria serbe ka njoftuar blerjen e sistemit raketor “Mistral”, duke blerë 18 njësi të kësaj pajisjeje ushtarake dhe 50 raketa. Sikur të mos mjaftonte kjo, pesë nga 20 marrëveshjet e nënshkruara mes Serbisë dhe Francës kanë të bëjnë me industrinë ushtarake.

Kjo nuk është marrëveshja e vetme që Serbia ka nënshkruar për blerjen e armatimeve, pasi fqinja e Kosovës ka blerë edhe aeroplanë rusë, MIG 29, si dhe sisteme të tjera raketore nga Bjellorusia. Megjithatë blerja e raketave duket se ka alarmuar Prishtinë.

Reagimi i parë erdhi nga kryeministri Ramush Haradinaj, i cili tha se Franca po pajis me raketa Serbinë, por nuk e lejon Kosovën të kërkojë mospërfshirjen e kufijve në bisedimet me Serbinë. Në një konferencë për shtyp, ai falenderoi presidentin Macron për dëshirën e mirë për arritjen e një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë, por ka kërkuar edhe njëherë që diskutimet për shkëmbime territoriale të mos përfshihen në këtë marrëveshje.

Emmanuel Macron dhe Aleksander Vuçiç.

Ai ka theksuar se ajo që kërkon Kosova “është shumë bazike, pra, një marrëveshje për njohjen reciproke në kufijtë ekzistues”. Sipas kryeministrit, kompromisi i vetëm që Kosova mund të bëjë për të arritur njohjen nga Serbia, është heqja e taksës ndaj produkteve serbe, por se kufijtë duhet të mbahen larg dialogut. Haradinaj thotë se në këto kushte, edhe Kosova duhet të armatoset si Serbia.

“Serbia dhe një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare po thotë se nuk mund ta njohin Kosovën në kufijtë ekzistues. Kjo po i bie që po na këshillojnë edhe ne që të blejmë raketa "Mistral". Serbinë po e armatosin me "Mistral". Për shembull, Serbia po shkon dhe po blen armë në Rusi. Edhe Franca e bëri një kontratë me Serbinë, për sisteme raketore. Ndërkaq, neve na thonë nuk mund të kërkojmë njohje reciproke në kufijtë ekzistues. Çfarë të bëjmë ne, pra? Ne jemi shtet i pavarur dhe ne nuk kërkojmë asgjë tjetër në dialog përpos njohjes reciproke. Nëse nuk jeni gati për këtë, atëherë edhe ne mund të armatosemi”, tha Haradinaj.

Gjatë vizitës në Beograd, Presidentët serbë dhe francezë diskutuan për bashkëpunimin politik dhe ekonomik, duke nënshkruar 22 marrëveshje, duke përfshirë edhe marrëveshjen për raketat Mistral. Kompania europiane e raketave, “MBDA” ka nënshkruar një marrëveshje për të pajisur Serbinë me sisteme të mbrojtjes ajrore Mistral 3.

Forcat Franceze në Guine.

“Kontrata parashikon marrjen e raketave Mistral, instalimin nga ushtarët francezë, pajisjet dhe logjistikën përkatëse dhe sigurimin e ndihmës teknike dhe materiale për integrimin e raketës Mistral në automjetet e forcave të armatosura serbe”, tha MBDA në një deklaratë.

"Ne jemi krenarë që kjo kontratë i tejkalon furnizimet material, pasi shënon bashkëpunimin e parë me Beogradin, objektivat e sigurisë së të cilit janë të ngjashme me ato të Francës dhe të Bashkimit Evropian ", tha Eric Beranger, Drejtor Ekzekutiv i MBDA. Mistral 3, prodhimi i fundit i familjes se raketave Mistral, përmban një rezistencë shumë të lartë ndaj kundërveprimeve infra të kuqe dhe ka aftësi shtesë për të goditur objektivat ajrore.

Krijimi i ushtrisë së Kosovës duket se e ka nxitur Serbinë të blejë të tjera mjete ushtarake, me qëllim që të shndërrohet në superfuqinë e re ushtarake të Ballkanit Perëndimor. Industria serbe e mbrojtjes po rritet dhe po modernizohet dita-ditës, ndërkohë që Beogradi forcon muskujt e tij ushtarakë falë bashkëpunim jo vetëm me Rusinë, por si duket edhe me Francën. Beogradi po modernizon ushtrinë duke blere tanke, avionë, helikopterë dhe një sistem për mbrojtjen e zonës së tij ajrore.

“Serbia mund të jetë krenare pasi tani ka 14 avionë luftarakë MiG 29″, tha ministri serb i Mbrojtjes Aleksandër Vulin disa muaj më parë, duke nënvizuar se Serbia ka avionët luftarakë më të avancuar në rajon.

“Tani kemi mjaft avionë luftarakë dhe pilotë”, tha Vulin, duke konfirmuar se Beogradi ka marrë zyrtarisht katër avionë luftarakë “MiG29” nga Bjellorusia. Në përputhje me këtë marrëveshje, Serbia do të marrë 10 avionë të vjetër luftëtarë MiG-29, disa të dhuruara nga Bjellorusia, 30 tanke beteje T-72C dhe 30 automjete të blinduara BRDM-2, MI-17, helikopterë MI-35, dhe aeroplanë transporti Antonov An- 26. Këto armatime janë duke u blerë për çmime shumë të volitshme edhe pse kostot për modernizimin pritet të jenë të larta.

Avion ushtarak rus MiG-29.

Mediat serbe flasin edhe për blerjet e mbrojtjes ajrore nga Rusia, siç është sistemi i famshëm S-300, i projektuar për të siguruar më mirë hapësirën ajrore serbe dhe për të kufizuar kërcënimet e mundshme. Këto blerje ushtarake mbështeten fuqimisht nga politikanët më nacionalistë anti-perëndimorë., të cilët duan të “shndërrojnë” Serbinë në super-fuqinë ushtarake të Ballkanit.
Nga ana tjetër, Forca e NATO-s në Kosovë (KFOR) ka bazën e saj që nga viti 1999 dhe së shpejti aleanca do të fillojë ndërtimin e një baze ajrore në Kuçovë. Ky rimilitarizim do të krijojë tensione serioze në rajon, në kohën kur po hapet “kutia e pandorës” për ndryshimin e kufijve midis Serbisë dhe Kosovës.

Çështjet ushtarake dhe kufitare janë shumë të ndërlidhura në Ballkan, pasi politikanët në rajon shpesh bëjnë thirrje për dërgimin e ushtarëve për të mbrojtur kufijtë. Pothuajse të gjithë liderët mbështetës të këtij propozimi kanë një të kaluar ushtarake: Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ishte udhëheqës politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa presidenti serb Aleksandar Vuçiç ishte ministër i Informacionit në kohën e ish-presidentit jugosllav Slobodan Millosheviq, gjatë luftërave ballkanike të viteve ‘90.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë