Nga Gazeta 'Si'-Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, do të realizojë një vizitë zyrtare në Serbi më 29 dhe 30 gusht, u tha në një njoftim të publikuar në ueb-faqen e presidentit serb, Aleksandar Vuçiç.
Vizita e Macronit në Beograd do të realizohet më pak se pesë muaj pasi ai e priti në Paris homologun e tij serb, Vuçiç.
Kjo do të jetë vizita e dytë e presidentit francez në Serbi në pesë vjetët e fundit, teksa dy shtetet po forcojnë raportet e tyre, veçmas në fushën e ekonomisë.
Gjatë pjesëmarrjes në ceremoninë hapëse të Lojërave Olimpike Verore, që u mbajtën në Paris, Vuçiç muajin e kaluar tha se vizita e Macronit në Serbi pritet të realizohet në fillim të shtatorit. Të dy burrështetasit në deklaratat e tyre publike kanë sugjeruar se një prej temave të takimit do të jetë blerja nga Serbia e avionëve luftarakë francezë, Rafale.
Në shkurt të vitit 2023, Vuçiç u tha gazetarëve se blerja e avionëve Rafale do të jetë blerja më e madhe nga buxheti i ushtrisë serbe, “në një vlerë prej 3 miliardë eurosh”.
Çështjet ushtarake do të jenë pjesë e bisedimeve, ka konfirmuar Macron në një konferencë për media më 18 korrik gjatë Samitit të Komunitetit Politik Evropian, që u mbajt në Mbretërinë e Bashkuar.
I pyetur për statusin e kontratës për shitjen e avionëve francezë te Serbia, Macron tha se ai do ta vizitojë Serbinë në javët apo muajt në vijim “për të finalizuar negociatat që janë subjekt i negociatave teknike, financiare dhe politike mes dy shteteve”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.