Një shpërthim i fuqishëm është regjistruar sot (e martë) në bashkinë e Lushnjes.
Si pasojë ka mbetur i plagosur kryebashkiaku Fatos Tushe dhe sekretarja e tij Elisa Qalliu. Burimet e gazetës “Si” bëjnë me dije se shpërthimi ka ndodhur në zyrën e kryetarit Tushe.
Vetmë pak minuta pasi ka ndodhur ngjarja, kryebashkiaku është transportuar me urgjencë në spital. Mjekët thonë se Z. Tushe ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndersa sekretarja e tij Elisa Qalliu është në gjendje të rëndë .
Policia ka mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes dhe po heton për zbardhjen e shkaqeve të shpërthimit.
Burimet bëjnë me dije se autori i shpërthimit ka qenë ish shoferi i kryetarit Gëzim Saraçi që ka hedhur granatën në zyrën e tij.
Sipas komunikatës së policisë, nga veprimet e para hetimore dyshohet se autor i kësaj ngjarjeje është ish-shoferi i Kryetarit të Bashkisë, i cili pasi ka hedhur granatën është larguar menjëherë nga ambientet e Bashkisë Lushnjë.
Forca të shumta policie të Komisariatit të Policisë Lushnjë, të DVP Fier, Renea e FNSH e Fierit po krehin zonën, me qëllim kapjen dhe arrestimin e autorit.
Grupi i posaçëm hetimor, me Specialistë nga Departamenti i Policise Kriminale ne Policine e Shtetit dhe DVP Fier, nën drejtimin e Prokurorisë po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
PD: Pasqyra e vërtetë e drejtimit të vendit nga Edi Rama
Partia demokratike tha se ngjarja e rëndë e ndodhur sot në Bashkinë e Lushnjës është pasqyra e vërtetë e drejtimit të vendit nga Edi Rama në çdo nivel, në qeverisjen qendrore dhe atë lokale.
"Të gjitha rrethanat tregojnë se goditja e kryebashkiakut të Lushnjës është prishje pazaresh mes tij dhe ish shoferit, me të cilin ka ndarë bashkë para nga droga, prostitucioni dhe korrupsioni. Është fakt i njohur në Lushnjë, se ish shoferi i kryetarit të Bashkisë Lushnjë, një trafikant droge dhe prostitucioni, ka financuar fushatën elektorale të Fatos Tushes. Çdo lushnjar e di se personi që ka kryer sot goditjen kundër kryebashkiakut, ishte njeriu më i besuar i Fatos Tushes dhe që bënte çdo pazar në emër të tij", tha PD.
Sipas saj, ngjarja e rëndë e ndodhur sot në zyrën e kryebashkiakut të Lushnjës, është tregues i degradimit të shtetit të ndërtuar prej Edi Ramës, si dhe një fakt më shumë se njerëzit me të cilët ai përfaqësohet, ble vota dhe mban pushtetin janë llumi i shoqërisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.