Sport

Luna Djarmati, shpresa e madhe e notit kuqezi!

Nga Gazeta Si – Vetëm 14 vjeç, ajo është sportistja më e talentuar e notit shqiptar.

Prej 3 vitesh në konkurim si profesioniste, Luna mori pjesë së fundi në Botërorin e të rinjve që u zhvillua në Otopeni (19-24 Gusht) të Rumanisë.

Medaljet e arta dhe rekordet për moshat dhe jo vetëm në stilin e lirë dhe shpinë janë të shumta për Lunën që paralelisht thyen rekorde në fuqi dhe vendos rekorde të reja në garat e 50 dhe 100 metrave.

Nga Shkupi në Prishtinë, nga Athina në Durrës dhe tani në Rumani, rekordet janë të njëpasnjëshme, madje dhe për të rritura.

Në Otopeni ishte një nga 5 sportistët e ekipit shqiptar, një nga dy vajzat pjesëmarrëse dhe notarja më e vogël në moshë.

Asnjë problem për të, emocionet kontrollohen dhe Luna si askush tjetër, vendosi dy rekorde kombëtare.

Në garën 50 metra shpinë ajo vendosi kohën 31”11, ndërsa në garën 100 metra shpinë, koha e saj ishte 01’07”59.

Ndërsa një rezultat tjetër premtues ishte në garën e 200 metrave stil i lirë.

Luna Djarmati u shortua në baterinë e dytë të cilën e fitoi me kohën, 02’15”52. Duke lënë pas Farah Fares (PLE) dhe Julie Hope (SRI).

Këtë sezon ajo ka grumbulluar 607.35 pikë dhe sa më lart jep shpresë për një progres gradual dhe të sigurtë në rritjen e një kampioneje të paracaktuar në sport.

Luna është vajza e Matko Djarmatit që luajti me Skënderbeun, Kastriotin, Besën, Dinamon dhe Tërbunin. Si dhe drejtoi Vllazninë në rolin e asistentit të Tomas Brdaric.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë