Media Galeri

Lumi i Gashit në Tropojë, pasuri botërore e mbrojtur edhe nga UNESCO

Lumi i Gashit në Tropojë është shndërruar në një destinacion të preferuar nga vizitorët vendas dhe të huaj.

Lumi i Gashit, shpallur si zonë e mbrojtur ‘Rezervë Strikte Natyrore” në vitin 1996 dhe prej vitit 2017 pjesë e rrjetit të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, konsiderohet një mrekulli natyrore.

Me një sipërfaqe prej 3 mijë hektarë, Lumi i Gashit shtrihet në pjesën lindore të Alpeve Shqiptare duke u kufizuar në veri me Malin e Zi dhe në verilindje me Kosovën.

Pjesa më e madhe e sipërfaqes së Lumit të Gashit është thuajse tërësisht e mbuluar me pyje të virgjëra ahu dhe pjesa tjetër me pyje halorë. Rrjedha e pandalshme e shumëvjeçare e ujit të këtij lumi e ka ndihmuar botën e gjallë të lulëzojë dhe të marrë jetë nga ai.

Përsa i përket faunës kjo zonë krijon kushte shumë të favorshme për rritjen dhe përhapjen e shumë llojeve të kafshëve dhe shpendëve.

Llojet kryesore të kafshëve që gjenden në këtë zonë të rrallë natyrore janë, ariu i murrmë, dhia e egër, kaprolli, macja e egër, ujku, derri i egër, lepuri, dhelpra. Kurse shpendë mund të përmendim; gjeli i egër, shqipja e Ballkanit, thëllëza e malit etj./ATA/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë