Njerez

Luiza Gega, sportistja më e paguar shqiptare… por pa ‘trashëgimtarë’

Nga Gazeta Si- Jemi mësuar që sportistët e shumësportshit, siç njihen ndryshe sportet e tjera veç futbollit, t’i njohim nëpërmjet arritjeve të tyre kryesisht ndërkombëtare, duke qenë se ato kombëtaret kanë pak nivel kompetitiv. Dhe sportistë të tillë, kryesisht në sportet individuale, kemi pak duke filluar nga peshëngritja, me Erkand Qerimajn, Briken Caljen, apo edhe Daniel Godellin në ndonjë rast. Kemi parë dikur mundjen, kur kishte sportistë shqiptarë dhe atletikën, dikur Klodiana Shala dhe sot Luiza Gega. Po flasim për sportistë të nivelit të lartë Ballkanik dhe në disa raste Europian dhe Botëror.

E megjithatë, veç këtyre arritjeve, apo pas këtyre arritjeve, gjithmonë ka jehuar kërkesa e tyre për shpërblime të djersës, në sajë të rezultateve që këta sportistë kanë arritur.

Rreth 4 vite më parë Ligji i ri për Sportin pati edhe përmirësime të dukshme në mënyrën e shpërblimit të sportistëve. Që nga ajo kohë disa prej tyre kanë marrë shpërblime, që ndoshta do të ishte më mirë t’i merrnin që kur kanë arritur rezultatet e para, jo këto vitet e fundit ku janë edhe të avancuar me moshën. Megjithatë e rëndësishme është që po vlerësohen edhe pse në vitet e fundit të karrierës, por me shpresën se brezat pas tyre do të tentojnë t’i ndjekin, për fat të keq ndoshta më shumë për përfitimet financiare se sa si shembull sportiv. Por ndoshta kështu kanë ardhur kohët.

Gjithsesi, pak ditë më parë sërish Luiza Gega, kampionia jonë e Ballkanit disa herë dhe e Europës, shprehu indinjatën e saj për mospagesën e disa arritjeve sportive. Gazetasi.al u interesua pranë Ministrisë së Arsimit dhe Sportit se për çfarë bëhet fjalë dhe në të vërtetë kërkesa e sportistes, sipas burimeve tona konfidenciale, ka të bëjë me gara të kategorisë “Cross Country”, të cilat nuk janë të parashikuar në ligj apo VKM për t’u shpërblyer.

Vetë ministrja e sportit, Ogerta Manastriliu, e pyetur për këtë çështje ka deklaruar se mbështetjen vërtetë e ka patur shumë të madhe kampionia jonë Luiza Gega dhe do të vazhdojë ta ketë, ndërkohë që pak u fol për detaje.

Por sportistja, e cila ndodhet në Kenia për fazën përgatitore nuk ka dashur të japë asnjë koment mbi deklaratën e ministres, duke rezervuar një takim me të, sapo të kthehet.

Po çfarë shpërblimesh ka marrë Luiza Gega nga viti 2022 kur u shpall edhe kampione Europe:

Vitin 2022:

1- Kampionati Europian i Atletikes, Munich, Germany (15-21.08.2022), vendi i parë Kampione Europe= 4.000.000 lekë / Trajneri = 1.600.000 lekë

2-Balkan Indoor Senior Championships, Stamboll, Turqi (05.03.2022), vendi i parë Kampione Ballkani = 1.000.000 lekë / Trajneri = 400.000 lekë

3- Kampionat Botëror i Atletikës (15-24.07.2022) Oregon, USA, Vendi i 5-të = 1.000.000 lekë / Trajneri 400.000 lekë

4- Lojrat Mesdhetare (25.06-06.07.2022) Oran, Algjeri, Rekord Mesdhetar = 3.000.000 lekë / Trajneri = 1.200.000 lekë

5- Kampionati Ballkanik i Atletikës për të rritur (18-19.06.2022) Crajova, Rumani. Kampione dy gara 5000m dhe 3000m me pengesa = 2.000.000 lekë / Trajneri 800.000 lekë

6- Ballkan Half-Marathon (10.04.2022) Tiranë, Shqipëri = 1.000.000 lekë / Trajneri 400.000 lekë

7- Lojrat Mesdhetare (25.06-06.07.2022) Oran, Algjeri. Kampione vendi i parë në 3000m/p = 2.000.000 lekë / Trajneri 800,000 lekë

Totali i një prej viteve më të suksesshme të sajë në karrierë me kulmin si kampione Europe: 19.600.000 lekë

Vitin 2023:

1- Kampionati Botëror i Atletikës, vendi i 8, Budapest Hungari = 400.000 lekë/ Trajneri= 160.000 lekë

2- Balkan Half-Marathon Championships, Bitola, Maqedoni e Veriut. Vendi i parë Kampione Ballkani = 1.000.000 lekë / Trajneri 400.000 lekë

3-Balkan Senior Athletics Championships, Kraljevo, Serbi ( 22-23.07.2023), Kampione Ballkani tre gara 1500m, 3000m, 3000m/p = 3.000.000 lekë/ Trajneri 1.200.000 lekë

Garuesja Luiza Gega shpallet fituese në kategorinë Half Marathon (21 kilometra) për femra pas Maratonës së Tiranës 2022.

Për këtë vit duhet të ketë edhe diçka tjetër për të marrë, por shumica e garave ku ka marrë pjesë kanë patur shpërblime nga Federatat Europiane apo organizatorëve privat dhe pjesa tjetër janë kategori garash të papërfshira në VKM apo ligjin shqiptar të shpërblimit për sportistët.

Gjithsesi totali i vitit 2023 është 6.160.000 lekë së bashku me trajnerin e saj që mbeti Taulant Stërmasi, aktualisht edhe presidenti i Federatës Shqiptare të Atletikës, duke hedhur poshtë tentativën për të marrë trajner të ri për Luiza Gegën, pasi angazhimi i tij i ri do t’i jepte pak mundësi ta ndiqte.

Sipas politikanëve shqiptarë dhe presidentit të Komitetit Olimpik Fidel Ylli, i cili dikur, kur ishte deputet u mor personalisht me Ligjin e ri të Sportit dhe shpërblimet e sportistëve, këto shifra janë më të lartat në të gjithë Botën, sa i përket vetëm shpërblimeve shtetërore, tjetër gjë sponsorat apo përfitimet e tjera.

Për fatin e mirë, sportistët elitarë në vendin tonë ku përfshihen sportistë si peshëngritësit Erkand Qerimaj, Briken Calja, apo Izmir Smajlaj, edhe vetë Luiza Gega, veç shpërblimeve që marrin kanë të siguruar edhe Bursat nga Komitetit Olimpik, trajtimet nga Klubi Tirana (i cili ka të përfshirë të gjithë sportistët elitarë shqiptarë të shumësportshit), pagesa nga federatat për arritjet e ndryshme, trajtimet dhe grumbullimet gjithashtu nga Federatat apo KOKSH për aktivitetet madhore dhe përpos këtyre tashmë kanë edhe gradën ushtarake Kolonel.

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi dhe vrapuesja Luiza Gega gjatë ceremonisë së marrjes së gradës honorifike “Kolonel” në forcat e armatosura shqiptare. Prill, 2023.

Më në fund mund të themi se sot kemi sportistë shumë mirë të paguar e shpërblyer në sajë të djersës së tyre dhe rezultateve shumë të larta të arritura. Kjo është gjithashtu një arsye kryesore që tashmë në disa federata, si ajo e mundjes, kemi sportistë kampionë, por jo shqiptarë, si Abakarov dhe Dudaev, tek skitë Lara Colturin apo tek gjimastika Matvei Petrov.

Dhe në krye të tyre, në bazë të rezultateve të saj, Luiza Gega është sportistja më e paguar shqiptare, e vetmja në atletikë së bashku me Izmir Smajlajn, pasi ashtu si edhe sportistët kampionë të tjerë shqiptarë, Qerimaj apo Calja, janë të fundit pa “pasardhës” të nivelit të tyre. Për të ardhur keq në fakt që nuk ka më një brez fëmijësh e të rinjsh që nuk i ndjekin më as për imazhin dhe arritjet sportive, dhe as për përfitimet shumë të larta tashmë, financiare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë