Atletike

Luiza Gega rekord në 5000 metra, Vllaznia e Skënderbeu kampionë

Gazeta Si – Në ambientet e stadiumit “Loro Boriçi” u zhvillua sot Kupa e Shqipërisë në atletikë. Kampionë u shpallën Vllaznia për meshkuj dhe Skënderbeu për femra, dy nga skuadrat më të njohura në vend në atletikë. Gjatë këtij aktiviteti vendosi rekord Luiza Gega dhe dy atletë të tjerë.

Atletja e njohur e garave të gjata vendosi rekord kombëtar në 5000 metra. Gega regjistroi kohën 15’22”18 dhe me këtë rezultat ajo u shpall edhe sportistja më e mirë e aktivitetit.

Një tjetër rekord u vendos në 100 metra për të rinj nga Leandro Çardaku. Shkodrani, që regjistroi kohën 11”01, u shpall sportisti më i mirë i aktivitetit. Edhe rekordi i tretë u vendos po në 100 metra, por për femra. Erisa Myrtollari e Skënderbeut regjistroi kohën 12”28.

Rekord mund të kishte vendosur edhe Franko Burraj në 200 metra. Shkodrani do të kishte thyer rekordin e tij, por nuk ia doli vetëm për dy të qindtat.

Interesant është fakti se në këtë aktivitet ka marrë pjesë edhe një atlet kosovar, gjakovari Tirron Mamusha. Ai garoi për Elbasanin në garën e 3000 metrave. Në aktivitet morën pjesë edhe atletët ukrainas, të cilët janë sistemuar në vendin tonë që më 30 mars.

Lajmi i keq është dëmtimi i Izmir Smajlajt. Atleti i kërcimit së gjati pësoi një dëmtim serioz dhe u transportua për në Spitalin Rajonal të Shkodrës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë