Portofol

Lufta Tregtare SHBA-BE, shqiptarët mund të përfitojnë

Nga SabinaVeizaj- Sa shqiptarëve u “është shkulur veshi” në kohën e diktaturës se vishnin bluejeans?

Sot pas 50 vjetësh xhins është një pantallon edhe për më të varfërit. Megjithatë një xhins LEVIS, origjinal jo çdo kush mund ta blej.

Por çmimet në tregun vendas mund të ulen, dhe për këtë shqiptarët mund të falënderojnë edhe Trump i cili i është futur një lufte  të fortë tregtare me Bashkimin Europian dhe me Kinën përmes tarifave doganore hakmarrëse.

Karikaturë Ilustruese, sesi mediat në SHBA e shikojnë luftën tregtare

Për shkak të tarifave doganore që Bashkimi Europian vendosi për Levi'sJeans amerikan, kompania ka parashikuar një ulje të çmimit, nëpërmjet reduktimit të kostove dhe nga kjo ulje e çmimit do të përfitojmë edhe ne shqiptarët.

Sipas ekspertëve, shqiptarët, jo vetëm që nuk preken nga tensionet tregtare mes ekonomive të mëdha, por duhet të shohin mundësinë të përfitojnë (dhe kjo nuk ka të bëjë thjesht dhe vetëm me LevisJeans amerikan).

Nga ana tjetër edhe sipërmarrësit  shqiptar mund të kenë përfitime.

Një nga prodhuesit më të mëdhenj shqiptarë të xhinseve Krienko Jeans Group thotë se kompani të ndryshme europiane kanë nisur të interesohen për bashkëpunim.

“Mendoj se do të përfitojmë nga lufta e të mëdhenjve nëse nuk ka ndryshim të kursit të tarifave dhe kundërtarifave që janë shpallur deri tani. Ne prodhojmë për markat europiane që konkurrojnë tregun amerikan. Sa më shumë të shiten markat europiane, aq më shumë interes kam edhe unë si prodhues për të rritur prodhimin. Kemi interesim nga kompani europiane, me të cilat nuk kemi bashkëpunim. Por është ende herët të flasim për marrëveshje konkrete.” – thotë Krienko Memo pronari i grupit Krienko Jeans duke shtuar se kompania ka kapacitetin e nevojshëm për të rritur prodhimin në rast se shtohen marrëveshjet e bashkëpunimit.

Aktualisht Krienko Jeans eksporton në Itali, Danimarkë dhe Belgjikë. Kompania bashkëpunon me disa nga markat prestigjoze në tregun global të veshjeve si Meltin’Pot , Versace, D & G, Tommy Hilfiger, Escada, Ben Sherman, Only, Jack&Jones etj.

Fabrikat Krienko prodhojnë aktualisht rreth 4.000 palë konfeksione në ditë për një volum total vjetor prej 1.2 milion palë konfeksione dhe në to janë të punësuar rreth 400 punonjës dhe specialistë.

Arben Shkodra nga Bashkimi i Prodhuesëve Shqiptarë gjykon se nga ky tension tregtar shqiptarët dhe vendet e tjera të vogla si ne duhet të përfitojnë. “Ne nuk gjendemi në mes të këtij tensioni tregtar.

Arben Shkodra, Bashkimi i Prodhuesëve Shqiptarë

Arsyeja sepse nuk jemi vend trazit për të kryer shërbime, për të ofruar mallra ose për të kryer punë në lidhje me këto shtete. Në luftërat mes titanëve të vegjlit duhet të jenë të zgjuar të përfitojnë. Luftërat tregtare shkaktojnë tensione edhe tek shërbimet. Shumë gjëra që bëheshin kollaj dhe lirshëm mes BE-së dhe Amerikës, nuk do bëhen më aq lirshëm. Duhet ta analizojmë, vlerësojmë e të kuptojmë çfarë del pas tensionit. Edhe kriza e madhe Botërore krijoi tension shumë të madh, por disa sektorë të caktuar lulëzuan në kohën e krizës. Fituan ata që kryen këtë proces refleksioni.” – thotë Shkodra.

Në fakt ne nuk procesojmë në mënyrë të ndërmjetme çelik që vjen nga Kina dhe ta shesim në Amerikë. Marrëdhëniet tona tregtare me Amerikën janë minimale, të papërfillshme.

Nuk kemi eksporte drejt Amerikës, si për shembull produkte ushqimore sepse ata kërkojnë procedura, kritere shumë të larta dhe për shkak të largësisë nuk e shohim si treg. Ne eksportojmë bimë mjekësore në Amerikë, por nuk janë pjesë e këtij tensioni tregtar.

“Ne nuk prekemi drejtpërdrejt sepse nuk jemi pjesë. Nëse ato kanë një tension, për ne mund të kthehet në favor. Qoftë tensioni i Amerikës me Europën. Do çojë më pak çelik dhe makina drejt SHBA-ve, do ketë më shumë stok në Magazina. Edhe mallrat stok në Gjermani, në Angli sepse ata duan tregje të tjera. Ne mund të përfitojmë nga kjo; mund të shfrytëzojmë burimet nga ky tension për të devijuar produktet të kalojnë këtej.” –sqaron Shkodra.

Eksperti i Ekonomisë Arben Malaj i parashikon impaktet e Luftës tregtare si negative nëkontekstin e ekonomisë globale. “Reagimi i BE-së dhe Kinës ndaj rritjes së tarifave të SHBA-vë  mund të krijojë  një zinxhir të luftës tregtare ku vendet që mund të përfshihen rriten në mënyrë graduale.  Kështu zinxhiri i vendeve aziatike  që preken nga rritja e tarifave amerikane përfshihen Malajzinë, Indonezinë dhe disa vende të tjera sepse ekonomitë e vendeve të tyre janë të përfshirë në zinxhirin e prodhimeve kineze të përfshira në rritjen e tarifave.”-thotë ai.

Arben Malaj, Ekspert Ekonomie

Sipas Malaj, sfida mbetet që pas  reagimit të  BE-së, Kinës dhe Kanadasë  Presidenti Trump do ta rishikoj qëndrimin e tij apo do të vazhdojë të rrisë në mënyrë të përsëritur  tarifa për mallra të tjera. 

Presidenti Trump parashikon të aplikojë masa penalizuese ndaj eksporteve kineze në masën 100 miliard dollarë. Aktualisht qeveria Kineze ka ndjekur rrugën e parashikuar në OBT duke synuar penalizimin e SHBA-ve për shumat respektive.

SHBA ka rritur  30% te tarifat e importit të paneleve diellore ku Kina ka 70% të eksporteve në botë, ka  rritur me  20% tarifat e importit të makinave larëse dhe me 25% tarifat e importit të çelikut.

Për  reduktim të  rrënjëve të krizës globale 2008,  është rekomanduar që vendet që kanë defiçite të mëdha tregtare ta reduktojnë atë duke rritur eksportet dhe për vendet që e bazojnë rritjen e tyre ekonomike  tek eksportet, të bazohen tek rritja e kërkesës së brendshme  duke reduktuar goditjet e jashtme që mund të ketë ekonomia e tyre. Në rastin konkret SHBA-ve u është rekomanduar të rrisin eksportet, ndërsa Kinës dhe Gjermanisë i është rekomanduar të  rrisin konsumin e brendshëm duke rritur pagat dhe të ardhurat e disponueshme të konsumatorëve.

“Lufta tregtare më shumë se shifrat e ndikimeve negative në rritjen ekonomike, në rritjen e papunësisë, në rënien e të ardhurave reale për të punësuarit në këta sektorë, ka një impakt shumë më të madh, ajo ka rritur pasigurinë për zhvillimet e ardhshme globale, ka dobësuar autoritetin dhe efikasitetin e institucioneve të qeverisjes globale. Në një botë gjithë e më të globalizuar, fragmentimi i qeverisjes  globale sjell shumë efekte negative. “- sqaron eksperti Malaj.

Ai mendon se një efekt pozitiv i kësaj lufte tregtare  ishte vlerësimi i domosdoshmërisë së projektit të BE-së, e cila i bën vendet europiane më të mbrojtura  sepse lufta tregtare kundër prodhimeve të një prej vendeve anëtare, vendi që  sulmon  rrezikohet të humbasë një nga blloqet ekonomike më të medha dhe më të zhvilluara të ekonomisë globale.

Ashtu sikurse David Ricardo ka pasur të drejtë me teorinë e tij të avantazhit krahasues, vijon analizën e tij Malaj,  edhe JeanMonett ka pasur të drejtë kur  në 1943 paralajmëronte se nuk do të ketë paqe në Evropë nëse shtetet e saj  pas luftës së dytë botërore do të rindërtojnë veten e tyre  bazuar në  sovranitet kombëtar, proteksionizëm dhe nacionalizëm.

Në kontekstin global të ekonomisë, ekspertët mendojnë se të gjitha palët do të preken nga pasojat e kësaj lufte, pasi aktualisht, SHBA-të importojnë rreth 2,4 trilionë USD mallra dhe janë tregu më i madh në botë. Prandaj një "rrahje flatrash" në këtë treg me këtë tregues, do të përkthehej në një tornado në vendet partnere.

Një gjykim tjetër qëndron tek nevoja për ristrukturim të filozofisë së arkitekturës ekonomike Europiane. “Kjo që po ndodh aktualisht do të ndërgjegjësojë Bllokun që baza e fortë që mbron nga rreziqet e jashtme, duhet bazuar tek vetja. Rritja e standardeve të konsumatorit brenda BE-së, investimi në rritjen e fuqisë konsumatore në vendet "më të varfra" të Bllokut, reduktimi i pabarazisë brenda Bllokut - pra një grek, bullgar apo polak të përafrohet në standard me një gjerman, belg apo danez- duke krijuar kështu një treg më cilësor që ofron bazë të shëndetshme zhvillimi, këto do të përbënin mburojën e nevojshme që do ta mbronin ekonominë europiane nga dinamikat e politikës jashtë Europës.”

Dhe natyrisht një Europë më e mirë dhe e fortë ekonomikisht do të jetë më e mirë për shqiptarët.

Pse Trump vendosi për luftë

6 korriku ka shenjuar edhe çeljen e siparit të tarifave doganore amerikane ndaj eksporteve kineze të paralajmëruara fort që në muajin prill të këtij viti, por të diskutuara edhe gjatë fushatës Trump.

Argumentet e Presidentit të superfuqisë botërore në atë kohë e në vazhdim kanë lidhje me sigurinë kombëtare dhe se Trump “nuk mund të lejojë më shtetet e tjera në marrëdhënie tregtare të përfitojnë nga Amerika”

  Në mesnatë e një minutë me orën e Uashingtonit, 6 e mëngjesit në Europë, mesditë në Pekin, hyrën në fuqi tarifat doganore prej 25% mbi shumën 34 miliard të disa produkteve kineze dhe gjithashtu kundër-tarifat e ngjashme mbi produktet amerikane të vendosura nga Republika Popullore. Kjo valë e parë e detyrimeve të reja amerikane godet 818 produkte të rëndësishme të Kinës, nga makinat elektrike tek prodhimet industriale dhe pjesë këmbimi makinash. Si kundërpërgjigje, Kina ka përgatitur një listë me 700 produkte, mbi të gjitha në fushën agro-ushqyese dhe të naftës bruto.

Presidenti Trump është shprehur se  “Kemi edhe 200 miliard të tjerë vlerë produktesh për të goditur dhe nëse nuk mjafton edhe 300 miliard të tjerë. Duke iu referuar të gjithë eksportit të të mirave dhe shërbimeve nga ana e Kinës drejt SHBA-ve: një vlerë prej 505 miliard dollarësh në vitin 2017. Por, Pekini e ka  thënë qartë se do të përgjigjet dhëmbë për dhëmbë; tani për tani ka evdientuar prodhime amerikane në vlerën e 34 miliard dollarëve për ti tarifuar me  25% detyrime, lista do të zgjatet për të mira të tjera në vlerën e 16 miliard dollarëve kur Uashington do të bëjë të vërtetë deklaratën e kuotës 50 miliard.

Por as ‘partnerët’ në këtë luftë; BE, Meksikë, Kanada nuk kanë qëndruar në heshtje, por edhe ata kanë kërcënuar me kundër tarifa në mbrojtje të interesave të tyre.

BE ka deklaruar listën e produkteve amerikane të cilët do ti nënshtrohen tarifave doganore. Ndër mallrat për të cilat do të vendosen taksa doganore janë uiski (Whiskey) motoçikletat e markës  Harley-Davidson dhe prodhimet e xhinsit, të cilat prodhohen në shtetet amerikane ku janë në fuqi republikanët.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë